Dëshmitarë të Rinj në Rastin Kundër Shishanëve

Në Gjykatën Themelore në Prishtinë ka vazhduar shqyrtimi gjyqësor në rastin kundër Fadil Shishanit, i akuzuar për tentim vrasje dhe të birit të tij, Shkëmb Shishanit, i akuzuar për përdorim të armës.

Në seancën e sotme si dëshmitarë janë dëgjuar Shaqir Behrami, Ibrahim Dobruna, Shpetim Beqiri, Leotrim Hamza dhe Besart Demaj.

Shaqir Behrami ishte avokat i Fadil Shishanit në procedurë civile ne Gjykatën Themelore të Prishtinës, Dega në Drenas, dhe si pasojë e kësaj ishte i liruar që të dëshmojë ose jo në këtë proces. Megjithatë, me kërkesën e prokurorit ai e paraqiti dëshminë e tij për veprimet që i ka bërë Shkëmb Shishani në vendin e ngjarjes ditën që ka ndodhur ngjarja.

Ai deklaroi që e ka parë Shkëmbin, i cili e kishte një revole të ngritur lartë dhe kërkonte ndihmë që të thirret ndihma e shpejtë për babanë e tij.

Ibrahim Dobruna, ndëkaq, deklaroi se mbetet pranë deklaratës së dhënë në prokurori në shtator të vitit 2015.

Emrush Kastrati, mbrojtës i Fadil Shishanit, tha se avokati Dobruna në dëshminë e tij në prokurori kishte thënë se nuk e ka parë Fadilin duke gjuajtur me armë.

Edhe Shpetim Beqiri qëndroi pranë deklaratës së dhënë në prokurori në gusht 2015. Ky për dallim nga Shaqir Behrami tha se e ka parë Shkëmbin, i cili armën e ka pasur në drejtim të tokës dhe ka kërkuar ndihmë për babanë, ndërsa nuk e ka parë që atë armë t’ia ketë drejtuar ndonjë personi.

Edhe dëshmitarët Leutrim Hamza dhe Besart Demaj thanë se qëndrojnë pranë deklaratave që i kanë dhënë më herët në prokurori.

Në seancën e radhës do të dëgjohet Mehmet Cakiqi, i cili është dëshmitari i fundit në këtë rast.

Seancat e radhës do të mbahen më 21 dhe 22 mars.

Mbrojtësi i Fadil Shishanit i propozoi Gjykatës që të hiqet masa e paraburgimit, mirëpo kjo u refuzua nga trupi gjykues.

http://kallxo.com/policet-deshmitare-ne-gjykimin-per-plagosjen-ne-drenas/

Rasti për të cilin po gjykohen Fadil dhe Shkëmb Shishani ka ndodhur në qershor të vitit të kaluar, në Drenas.

Sipas aktakuzës, Fadil Shishani ka tentuar ta privojë nga jeta  gjyqtarin Shefqet Baleci dhe zyrtarët policorë Mehmet Cakiqi e Afrim Pirraku, ndërsa i biri i tij akuzohet për përdorim të armës.

Sipas aktakuzës, derisa gjyqtari Baleci dhe punëtori i gjykatës Hamzë Isufi, të shoqëruar nga zyrtarët policorë Bajram Selimi, Afrim Pirraku, Mehmet Cakiqi, Nazmije Rukiqi, Fadil Bujupi, Blerim Mecinaj, Nexhat Doberdolani dhe Agron Mulaj kishin shkuar në përmbarim të urdhëresës së lëshuar nga Gjykata në Drenas për të larguar nga banesa të akuzuarin, ky i fundit në hyrje të banesës me revole në duar ka shtënë në drejtim të gjyqtarit.

Sipas aktakuzës, i akuzuari pastaj është vërsulur në drejtim të zyrtarëve të tjerë policorë, duke shtënë në drejtim të Mehmet Cakiqit dhe Afrim Pirrakut, të cilët pastaj i janë përgjigjur sulmit duke qëlluar në drejtim të të akuzuarit Fadil Shishani.

Në këtë sulm, i akuzuari kishte mbetur i plagosur.

Sipas aktakuzës, i biri i Fadilit, Shkëmbi, duke parë babanë e tij të rrëzuar, ka marrë revolen dhe pastaj ka mbajtur atë në mënyrë kërcënuese dhe duke kërkuar ambulancë, nuk ka lejuar zyrtarët policorë t’i afrohen Fadilit.

KALLXO.com ka raportuar edhe më herët për këtë rast.

http://kallxo.com/nje-muaj-paraburgim-fadil-e-shkemb-shishanit/