Dëshmia e ish-policit në gjykimin e Enver Sekiraqës për shtytje në vrasjen e Triumf Rizës

Në gjykimi e Enver Sekiraqës, i akuzuar për shtytje në vrasjen e policit Triumf Riza, në cilësi të dëshmitarit u dëgjua Shpend Qerimi.

Në gjykimin e sotëm ka pasur të dëgjohet edhe motra e Adelina Ismailit, Ema, mirëpo e njëjta nuk u paraqit në sallën e gjykimit, sepse Gjykata nuk ka adresë të saj.

Kryetari i trupit gjykues Shashivar Hoti deklaroi se Gjykata nuk ka mundur ta verifikoj adresën e Ema Ismailit.

“Gjykata ka dërguar ftesë, mirëpo e njëjta nuk e ka pranuar, për shkak ndërrimit të adresës, ne kemi lëshuar urdhëresë për verifikimit të adresës, vetëm adresa e Zanfinës është verifikuar”, tha gjykatësi Shashivar Hoti.

Dëshmitari Shpend Qerimi deklaroi se është në mbajtje të dënimit për rastin e shpërthimit që ka ndodhur në rrugën “Bill Klinton” në lokalin Sekiraqa.

Në pyetjet e prokurorit special Haki Gecaj, dëshmitari Qerimi tha se ka punuar në sektorë të ndryshëm të Policisë dhe se me Triumfin janë njohur në disa trajnime të Policisë dhe kanë pasur shoqëri të mirë.

“Me Triumfin jam njohur në disa trajnime policore, njëherit kemi qenë koleg. Pastaj kemi qenë shok të mirë, sepse unë kam punuar së pari si polic i thjeshtë, pastaj si hetues në kuadër stacionit të Ferizajt, në njësitin e Njësisë Speciale, Njësitin e Inteligjencës, dhe njësitin Anti-terror”, tha dëshmitari.

Më tutje Qerimi shtoi se Triumfi kishte bërë disa raporte që i kishte kërcënuese, ku kishte treguar se kërcënimet i ka pasur prej grupit të Enver Sekiraqës dhe nga vetë Sekiraqa.

“Triumf Riza kishte bërë disa raporte kërcënuese dhe për këto raporte nuk kishin marr masa parandaluese, dhe raportimet e Rizës kanë qenë se kërcënimet i ka marrë prej grupit të Enver Sekiraqes dhe vet Enverit”, shtoi Qerimi.

Dëshmitari shpjegoi se kërcënimet nga grupi i Sekiraqes,  Rizës i kishin ardhur prej vitit 2000.

“Prej aty kishte filluar starti i parë, dhe se me Sekiraqën personale nuk pasur asgjë”, tha ai.

Sipas dëshmitarit problemet me vonë kanë filluar të rriten mes Rizës dhe Sekiraqës dhe grupit të tij pas njoftimit të Triumf Rizës me Adelina Ismailin.

Në pyetjet e prokurorit special Haki Gecaj se kush ishin ato grupe?

Dëshmitari theksoi se kanë qenë rreth 15 persona.

“Disa prej tyre më kujtohen ishin Ilir Abdullahu me nofkën “Liza”, Agron Emini me nofkën “Agron seksi”, tha dëshmitari.

Dëshmitari tregoi edhe për dy raste, të cilat kishin të bëjnë me Rizën, rasti kur vetura ka marrë zjarr dhe rastin për një kazino.

“Triumf Riza më ka treguar dhe sa më kujtohet kanë qenë bashkë me Arben Sylejmanin në Swis kazino aty më vonë kanë ardhur Enver Sekiraqa, Agron Emini, dhe disa tjerë edhe një grup femra. Ka qenë Fjolla Morina, se na i kem bo pyetje qysh arritën me fut armët në diskotekë, pasi e njëjta ka kontroll, dhe sipas Triumfit ato armë i ka futur Fjolla Morina nëpërmjet çantës së saj, sepse femrat nuk i kanë kontrolluar”, tregoi Qerimi.

Gjithashtu dëshmitari Qerimi tregoi se Arben Sylejmani ka qenë polic dhe se ai e kishte lëshuar Kosovën prej kërcënimeve.

Ndërsa, për Enver Sekiraqën tha nuk e kishte njohur personalisht, por gjatë punës si polic e ka pasur për detyrë të punojë dhe ta njoh grupin e Enverit.

Ndërsa për vrasjen e policit Riza, dëshmitari Qerimi tregoi se: “Si ekip ishin mobilizuar me i dal në ndihmë policëve dhe se për Arben Berisha nuk kam dëgjuar kurrë as unë, as Triumf Riza, vetëm në momentin kur ishte vetëdorzuar për vrasjen e kolegut të tij”.

Avokatja e të akuzuarit Enver Sekiraqa, Kosovare Kelmendi kërkoi mbylljen e seancës për publikun para se ajo t`i parashtronte pyetjet e saj ndaj dëshmitarit Qerimi. Kelmendi këtë kërkesë e bëri me arsyetimin se gjatë pyetjeve do të përmend emra dhe preket privatësia e tyre.

Kryetari i trupit gjykues e aprovoi kërkesën e saj dhe përjashtoi publikun dhe mediat nga salla e gjykimit, vetëm monitoruesit e EULEX-it i lejoi të qëndrojnë në sallë.

Seanca e radhës do të mbahet me 25 shkurt.

 

Gjykatës i zhduket adresa e Adelina Ismailit, dështon seanca e Enver Sekiraqës

 

Enver Sekiraqa akuzohet për nxitje në vrasjen e ish-policit Triumf Riza dhe për detyrim.

Për këto vepra ishte dënuar me 37 vite burgim nga Gjykata Themelore në Prishtinë por Gjykata e Apelit rastin e kishte kthyer në rigjykim.

Për vrasjen e policit Riza, Arben Berisha është dënuar me 35 vjet burg pasi është gjetur fajtor në akuzën se ka qenë ai që e ka vrarë Triumf Rizën në vitin 2007 në lagjen ‘Santea” më Prishtinë.

KALLXO.com e ka përcjellë në tërësi gjykimin e Sekiraqës dhe dosja e plotë e këtij procesi mund të gjendet në këtë link.