Dëshmi për tregtinë me abortet në Kosovë

Me një telefonatë disa minutëshe, pa këshillim paraprak dhe pa analiza të hollësishme, në Kosovë mund të bëhet lehtësisht pazari për një abort në ambulanca gjinekologjike private.

Këto asnjëherë nuk ju nënshtruan një inspektimi për abortet që kryejnë, dhe as nuk i evidentojnë në regjistrat e tyre ndërprerjet e shtatzënisë, që realizohen në shuma që variojnë prej 300 eurosh e deri në njëmijë sosh. Kryetari i Shoqatës së Gjinekologëve të Kosovës pohon se ka abuzim me aborte.

“Mos fol më gjatë në telefon…në ora 9 eja në tesull jo, jo unë në 12 nesër nisem për në Prishtinë…Në ora 9 në tesull me ardh, nesër, pa hangër e pa pi tjetër muhabet në telefon mos më diskutu ma shumë, nesër në 9 eja ose masnesër në 9 se kam punë me udhëtu në Prishtinë, Në tesull eja, pi langje, në tesull eja. Në ora 8 e gjysmë me qenë këtu te Lagjia e Spitalit e kam ordinancën, se mos po ka nevojë analiza për me ba”.

Ky është një diskutim disa minutësh me një gjinekolog nga Prizreni (emri i njohur për redaksinë) që u bë për caktimin e një aborti. Ky gjinekolog, është vetëm një nga 7 të cilët janë kontaktuar përgjatë hulumtimit tonë, me qëllim që të kuptohet se si bëhen pazaret për aborte në ordinancat private në Kosovë.

Pak fjalë, dhe pa hezitime terminet caktohet shumë lehtë. “Nuk zgjat shumë procedura, 12 minuta”, është përgjigja e një ordinancë tjetër.

Për dallim prej stafit në QKUK që thotë se pacientet i këshillon dhe tenton t’i bind mos të kryejnë abort për shkak të pasojave shëndetësore që mund të kenë, stafi në 7 ordinancat private të cilat janë kontaktuar për nevoja të këtij hulumtimi, dhe selektuar në mënyrë krejtësisht të rastësishme, është më i hapur dhe nuk përton fare të caktojë menjëherë terminin. “Eja këtu dhe zgjidhje të bëjmë”, është një përgjigje e shpeshtë.

E në një ordinancë në qendër të Prishtinës tregohet edhe sa kushton pazari i bërë. “300 ose 350 qaty diku kushton”, është përgjigja e infermieres pasi cakton terminin për abort për të mërkurën me datë 28 nëntor në ora 8.

Meqenëse këto ordinanca janë kontaktuar për nevoja të hulumtimit e jo për të kryer abort, emrat e tyre do të ofrohen vetëm për organet e hetuesisë nëse këto do të vendosin të verifikojnë nëse këto ordinanca kanë kryer ndonjëherë aborte dhe nëse ato janë kryer në kushtet e parapara me ligj.

Megjithatë bisedat e incizuara me stafin dhe gjinekologët që punojnë në këto ordinanca, 7 nga 98 sa figurojnë në një listë e cila gjendet lehtësisht me një klikim në internet dhe ku figurojnë ordinancat e regjistruara dhe kontaktet e tyre, tregojnë se ”pazari” për abort bëhet lehtësisht edhe përmes telefonit.

Nga 1478 ordinanca të licencuara për këtë vit në Kosovë, 81 ambulanca specialistike janë të licencuara nga Ministria e Shëndetësisë për të ofruar shërbime gjinekologjike. Ky numër është më i vogël se ai që kishte para dy viteve.

Në vitin 2016, ambulanca gjinekologjike të licencuara ishin 108. Megjithatë prej tyre të pakta janë ato që janë institucione spitalore.

Gratë mbi moshën 18 vjeç janë të lejuara të abortojnë deri në javën e dhjetë të shtatzënisë në mënyrë të vullnetshme, apo për shkaqe të planifikimit familjar. Ato nën 18 duhet të marrin leje nga prindërit e tyre. Pas javës së dhjetë, abortet mund të kryhen vetëm në QKUK dhe atë nëse Komisioni Profesional Shëndetësor në kuadër të departamentit për planifikim familjar në QKUK vendos që shëndeti i nënës ose frytit është në rrezik.

Por në QKUK thonë se gratë dhe vajzat që nuk kanë status martesor nuk preferojnë të kryejnë aborte në klinikën publike, dhe ndër shkaqet që ipet thuhet të jetë konfidencialiteti që ato kërkojnë dhe mos regjistrimi i abortit të kryer në historikun shëndetësor. Anën tjetër shumica e gjinekologëve obstetër, që sipas një liste të stafit të Klinikës Gjinekologjike të siguruar figuron të jetë 40, kanë edhe ordinanca private.

Këto klinika janë të licencuara që të ofrojnë shërbime gjinekologjike. Ani pse nuk dihet saktësisht se cilat duhet të jenë parametrat nën të cilat duhet të licencohen ambulancat gjinekologjike e nën të cilat institucionet private spitalore për të ofruar abortin si shërbim.

Rregullat e licencimit përcaktohen me katër udhëzime administrative të cilat gjenden në faqen zyrtare të Ministrisë së Shëndetësisë e cila nuk ka dhënë përgjigje në atë se çfarë kritere duhet të plotësojnë ordinancat private për të kryer aborte.

Sugjerimi ka qenë që të shikohen udhëzimet administrative mirëpo as në këto udhëzime nuk ka qenë e mundur të gjenden kritere specifikisht për ndërprerje të shtatzënisë. Përveç listimit të disa pajisjeve gjinekologjike dhe kushteve të përgjithshme spitalore.

Kryeinspektorja shëndetësore Ardita Baraku në intervistën e dhënë për këtë hulumtim thotë se nuk është e vetëdijshme që ka dokument specifik që përcakton kriteret për ordinancat që kryejnë aborte.

“Nuk jam në dijeni që ka diçka specifike për abort, por ju mbetet juve ta konfirmoni këtë”, thotë ajo, porse sipas saj të gjitha ato institucione shëndetësore që janë të licencuara për të ofruar shërbime gjinekologjike mund të kryejnë edhe ndërprerjen e shtatzënisë meqë konsiderohet shërbim gjinekologjik, në suaza të ligjit ekzistues.

Ajo çka Baraku përmend si nevojë ndërkaq për ordinancat private është që të kenë marrëveshje me transfuzionin e gjakut, për furnizim me gjak në rast të komplikimeve të mundshme që mund të lindin si pasojë e abortit, që është ndërhyrje dhe në të shumtën e rasteve shfaqet me gjakderdhje.

Ne kemi kërkuar përgjigje nga Transfuzioni i Gjakut në lidhje me atë se cilat ordinanca private që ofrojnë shërbime gjinekologjike kanë marrëveshje për furnizim me gjak por drejtoresha e TGJ, Bukurie Zhubi në një përgjigje të saj ka thënë se ofrojnë furnizim me gjak klinikat dhe spitalet me të cilat kanë marrëveshje mirëkuptimi sipas nevojës porse behët fjalë vetëm për spitalet e mëdha që diku janë afro pesë sosh.

“Me asnjë ambulancë gjinekologjike të vogël nuk kemi marrëveshje, unë as nuk i njoh as nuk di a janë të regjistruara madje, na i ofrojmë furnizim sipas nevojës vetëm këtyre klinikave dhe spitaleve të mëdha kyçur na kërkojnë, tjerat as nuk i njoh dhe nuk kemi asnjë marrëveshje”, ka thënë Zhubi.

Numri i saktë i aborteve apo kërkesave për abort në Kosovë nuk dihet, shteti nuk ka të dhëna të sakta por praktika e abortit në ordinanca private është tashmë një sekret publik.

Në raportin e Zyrës së Avokatit të Popullit të Kosovës të lansuar në vitin 2016, e të titulluar “Të drejtat në shëndetin seksual dhe riprodhues në Kosovë: Një realitet përtej ligjit?”, ky institucion e quan “problem shumë serioz dhe të përhapur abortin klandestin nga klinikat private”.

“Ka një problem shumë serioz dhe të përhapur që është aborti klandestin nga klinikat private, të cilat nuk janë të licencuara për të kryer procedurën, edhe përkundër faktit se ekzistojnë një numër klinikash publike shëndetësore, të cilat ofrojnë shërbime të sigurta dhe të ligjshme të abortit”, thuhet në raportin e Avokatit të Popullit.

Në rrethana të tilla klandestine edhe të pa rregulluara, raporti thekson faktin se aborti nuk është i sigurt. “Gratë dhe vajzat adoleshente raportohet të kërkojnë aborte të tilla për shkak të mungesës së privatësisë dhe konfidencialitetit në sektorin publik.

Edhe raportimi i aborteve është i kufizuar, posaçërisht nga institucionet private, që e bën të pamundur për të vlerësuar shkallën e problemit”, thuhet më tej në raportin që rekomandon Qeverinë që të merr hapa në drejtim të ndalimit të kësaj problematike.

Avokati i Popullit kërkon që Qeveria të adresoj problemin e abortit që kryhet në mënyrë klandestine në kushte të pasigurta nga institucione private dhe të pa autorizuara për të kryer procedurën. Megjithatë kjo çështje nuk ka marrë asnjëherë jehonën e duhur. Leonida Molliqaj është ndër gazetarët e parë që kishte punuar një raport hulumtimi për Qendrën për Gazetari Hulumtuese “Preportr”, e të cilin e kishte lansuar në vitin 2016.

Hulumtimin “Turpi mbi trupin”, Molliqaj asokohe e kishte nisur pikërisht duke u nisur nga përvoja e një shoqe të saj, të cilës në një klinikë publike në Prishtinë, në të cilën kishte kuptuar se kishte ngelur shtatzënë, mjeku ia kishte ofruar kartëvizitën për në ordinancë private si sugjerim për vendin ku ajo do të mund të abortonte. Gjë edhe e cila kishte ndodhur.

Molliqaj tregon se hulumtimi kishte qenë i vështirë pikërisht për faktin se ka pasur shumë pak informata për abortin e aq më tepër për abortin ilegal në Kosovë, që vazhdon të ndodh.

“Ka qenë problem se nuk ke pas as shumë informata, dhe fillimisht bëra kërkesë në inspektorat me mi dërgu të dhënat për ordinancat e licencume dhe të palicencume dhe në përgjithësi ka qenë si temë problematike sepse nuk kanë qenë të hapura as institucionet me fol për këtë temë por as njerëzit me të cilët kam dashtë me bo intervista, si gratë që kanë realizu abortet si mjekët që janë marrë me këtë punë, sepse aborti është pa si diçka e turpshme dhe nuk duhet me u diskutu për këtë temë.

Pak a shumë si është marrë me fol për cikël menstrual te na, hala ma shumë është për abort sepse shihet si diçka mëkat por edhe për formën si shihet trupi i gruas në shoqëri patriarkale, që do të thotë se gjithçka që ka të bëjë me shëndetin e riprodhimit nuk janë të përshtatshme me u fol në shoqëri”, tregon ajo.

Dhe kjo “marre” ekziston përkundër faktit se dihet që abortet kryhen në Kosovë edhe në mënyra ilegale. Për këtë e vetëdijshme ishte treguar edhe vetë drejtoresha e Klinikës Gjinekologjike në QKUK, Myrvete Paçarada e cila në një intervistë të dhënë në vitin 2016, për një hulumtim të realizuar me BIRN, madje kishte pohuar se e di që mjekët që janë staf i saj kryejnë aborte ilegalisht në klinikat e tyre private.

“Jam e vetëdijshme. Por dëgjo se çka po të them përderisa askush nuk vjen e më thotë se e ka bërë ky e ky unë i kam duart e lidhura”, pati thënë ajo duke arsyetuar me mungesën e provave për të dëshmuar aktin e kryer.

Mungesa e provave është edhe një ndër arsyet që kryeinspektorja e shëndetësore në Kosovë, Ardita Baraku, merr si bazë kur flet për mungesën e të dhënave në lidhje me abortet ilegale në Kosovë. Megjithatë kjo thotë se edhe drejtoresha e Klinikës e ka për obligim të raportojë për stafin apo kolegët nëse ka informata.

Ajo ka shpjeguar se nuk ekziston ndonjë licencim enkas për aborte. “Ligji për ndërprerjen e shtatzënisë e thekson se duhet të kryhet në institucion shëndetësor. Dhe tash nëse kthehemi te privatet, ai institucion që nuk është i licencuar nuk është institucion shëndetësor por vetëm një subjekt që kryen veprimtari ilegale shëndetësore”, thotë ajo.

“Pra 1 duhet me qenë institucion shëndetësor, 2 duhet të kryhet nga mjeku profesionistë gjinekolog, edhe kjo nënkupton që duhet mjeku me qenë i licencuar dhe parakushti i tretë thitë që institucioni që kryen ndërprerjen e shtatzënisë duhet të plotësojë kushtet që të menaxhojë pasojat e mundshme të atij intervenimi. Shembull një pasojë me drastike është fillimi i gjakderdhjes. Një ambulancë gjinekologjike në një fshat të vogël, ku kryhet një abort ilegal aty fillon problemi se si e menaxhon nëse fillon gjakderdhja. Spitalet private e kanë obligative me pas kontratë me transfuzion të gjakut, dhe kryerja në spitale private të licencuara do të përmbushte ato parakushtet. Ambulantat private të vogla nuk e kanë atë parakusht dhe ajo rrit rreziqet”, thotë kryeinspektorja.

E cila megjithatë pohon se asnjëherë nuk kanë pasur ndonjë inspektim nëpër ordinanca private për çështje të abortit.

Mesatarisht diku, siç tregon ajo, 90 subjekte shëndetësore në vit mbyllen për shkak se nuk janë të licencume. Por asnjë prej tyre për shkak të kryerjes së abortit ilegal, ngase për këtë nuk gjinden evidenca në regjistrat e pacientëve.

Ndërprerja ilegale e shtatzënisë konsiderohet edhe vepër penale e dënueshme sipas Kodit Penal të Kosovës me nenin 184. Maksimumi i dënimit të paraparë me Kod Penal për ata që ndërprerjen e kundërligjshëm shtatzënitë të gratë, është dhjetë vjet, derisa për atë që ndërprenë shtatzëninë kundër pëlqimit të gruas, deri në 15 vjet burg.

Sipas të dhënave të Policisë së Kosovës, nga viti 2013 e deri në vitin 2017 figurojnë 14 raste të raportuara në polici për ndërprerje ilegale të shtatzënisë. Tre prej tyre janë raportuar vetëm në vitin e kaluar ndërsa nuk ka të dhëna për këtë vit.

“Te gjitha këto raste janë trajtuar komfor procedurave policore dhe janë ndërmarr veprime ne koordinim me organet e drejtësisë (prokurorisë)”, thuhet në përgjigjen e Policisë.

Të dhënat e të gjitha prokurorive themelore në Kosovë ndërkaq tregojnë se në Prishtinë figurojnë pesë lëndë të kësaj natyre, prej tyre në një rast ka hedhje të kallëzimit penal dhe në një rast tjetër pushim të hetimit ndërsa vetëm në tre rate ka aktakuza. Derisa në Mitrovicë një lëndë është hedhur dhe një tjetër është ende nën hetim.

Përgjigje në atë nëse ka dënime evidenca në lidhje me vendime të gjykatave për këtë vepër penale, kërkuam nga Këshilli Gjyqësor i Kosovës, por zyra për informim nuk është përgjigjur ndaj kërkesës.

Sipas të dhënave të Gjykatës së Apelit, në këtë gjykatë figuron vetëm një lëndë e cila pret shqyrtimin në Apel, dhe me vendimin e shkallës së parë i akuzuari ka marrë dënim fajësues prej një viti për ndërprerje të shtatzënisë në tentativë. Asnjë nga këto tre institucione të drejtësisë nuk ka ofruar ndërkaq të dhëna nëse ka mjekë të akuzuar apo hetuar ndonjëherë për ndërprerje jo ligjore të shtatzënisë.

Inspektorati shëndetësor veprimtarinë e tij në raste të tilla e bazon kryesisht në ankesat e qytetarëve, të cilat i procedon tutje për hetim nëse ka elemente penale.

Kryeinspektorja Baraku kujton se gjatë mandatit të saj ka pasur vetëm dy ankesa drejtuar Inspektoratit Shëndetësor në lidhje me kryerjen e një aborti ilegal.

Ato ankesa kishin shkuar në adresë të Inspektoratit vetëm pas komplikimeve të shfaqura të gruaja që kishte kryer procedurën.

“Vitin e kalum e kemi pas një ankesë për një abort në një ordinancë private edhe para shumë viteve ka qenë një, dy që unë i di në inspektorat. Kjo që ka qenë e fundit faktikisht pacientja është ankuar për pasojat e ndërprerjes së shtatzënisë. Por ta them kështu, përgjegjësia është e të dyja palëve edhe personit që ka vendos me kry ndërprerjen por edhe te mjeku. Ka ndodh disa probleme më vonë dhe tek atëherë është ankuar për mos kryerjen e mirë të shërbimit.

Lënda është punuar në bashkëpunim me Policinë dhe pas pjesës tonë të punës ka vazhdu puna”, thotë ajo. “Pra, një nuk lajmërohen këto raste. A është në pyetje stigma e bisedës apo konfidencialiteti, apo thjeshtë janë të kënaqura me shërbimin që kanë marrë dhe krejt këto janë çështje që nuk mundemi me i vlerësu sepse po flasim për aborte ilegale.

Nuk mund të di të dhëna për aborte ilegale sepse nuk kemi të dhëna, detyra jonë është që kur ti kuptojmë ato me u siguru që institucioni, profesionisti kushtet teknike dhe sanitare dhe kujdesi ndaj pacientit ka qenë maksimale dhe ka mujt ndërprerja me u kry në ato rrethana në mënyrë ligjore, kjo është detyra jonë”, thotë kryeinspektorja Baraku.

Inspektorati Shëndetësor në Kosovë ka diku 1500 objekte të cilat i inspekton në baza të rregullta dhe vjetore. Në nivel Kosove këtë inspektim e kryejnë vetëm 10 inspektorë.

Kjo sipas Barakut e bënë akoma më të vështirë që të kryhet ndonjë inspektim i veçantë për abortet.

“Thirrja ime për qytetarët është informoni. Si mundem unë me ndërhy në diçka që unë nuk kam të dhëna. Vjen ankesa thotë nana jem ka qenë në gjinekologji dhe mjeku nuk e ka këqyr. Mirë po kush është institucioni, kush është mjeku, do të thotë na duhet me pas diçka që duhet dyshim i bazuar për me mujt me kry inspektimi”, arsyetohet ajo.

Në raportin vjetor të ISH-së për këtë vit, është evidentuar edhe rasti i ankesës së pacientes e cila kishte pasur probleme shëndetësore pas ndërprerjes së shtatzënisë në një ordinancë private.

Por nuk ka të dhëna tjera në lidhje me inspektime sa i përket ndërprerjeve të shtatzënisë në përgjithësi e as ato në mënyrë ilegale, ani pse raporte të ndryshme e ngrisin këtë çështje si problematikë.

Kryetari i Shoqatës së Gjinekologëve, profesor Shefqet Lulaj, njëherësh ish drejtor i Klinikës Gjinekologjike në QKUK për shtatë vite (2005 – 2012), pohon se ka abuzime me të drejtën e abortit në Kosovë në sistemin shëndetësor në Kosovë.

Lulaj ka vërejte edhe në Ligjin ekzistues për ndërprerjen e shtatzënisë. Ky ligj ishte i sponsorizuar nga Ministria e Shëndetësisë në mandatin e ministrit Ferid Agani të Partisë së Drejtësisë. Sipas Lulajt në Shqipëri ndërprerja e shtatzënisë lejohet deri në javën e 12-të barrës duke u llogaritur nga dita e parë e menstruacionit të fundit, për aborte të vullnetshme pra. Në Gjermani konsiderohet ditën e koncepcionit, pra dy javë më tepër që nënkupton deri 12 javë pas koncepcionit, sikurse që e kanë sipas tij shumë shtete të Evropës.

Në Kosovë sipas tij nëse përllogaritet siç parashihet me ligj i bie që e drejta për abort të vullnetshëm, nëse shihet nga koha e koncepcionit i bie 8 javë embriologjike. “këtu ka pasur keqkuptime dhe do të ketë gjithnjë sepse nuk është në koordinancë me ligjet e abortit të Evropës e as të Shqipërisë bile.

Në ligj është e parapamë po ashtu se para se gruaja të parashtron dëshirën për abort ajo duhet me bo këshillimin paraprak që bëhet nga ana e obstetër gjinekologut dhe duhet së paku tre ditë paraprakisht me u këshillu rreth abortit, metodës, pasojave e pastaj dy ditë duhet të kalohen, sepse është ajo periudha kur gruaja mendon dhe logjikon atë që është thënë nga an e gjinekologut dhe ka mundësi me ndërru mendimin. Tri ditë janë të domosdoshme deri në realizimin e abortit”.

Sipas Lulaj ka njerëz dhe institucione që e bëjnë më sigurt abortin dhe të atilla që e bëjnë më pak sigurt.

Sipas Lulajt një çështje që duhet të diskutohet tutje është mosha e barrës dhe rritja e saj ligjërisht që të mundësohen abortet e vullnetshme edhe deri në 12 javë pa pasur nevojë për t’u futur në komisione profesionale si ai në QKUK.

Sipas tij komplikimet si në javën e 10 si 12 të barrës janë të njëjta dhe nuk ka nevojë që të futen pacientet në Komisione ngase ajo mund të ndikojë në psikiken e saj në mënyrë negative. Një çështje tjetër në të cilin kryetari i shoqatës së Gjinekologëve jep përgjigje është pikërisht edhe licencimi i ordinancave private gjinekologjike, me licencë për të ofruar shërbime gjinekologjike njësoj sikurse ato institucione spitalore e që ofrojnë shërbime gjinekologjike.

“Kjo është anakronike sepse në perëndim unë kam punu edhe atje, ambulancat dhe ordinancat nuk kanë të drejtë me realizu aborte. Unë jam i vetëdijshëm që te na bëhen dhe bëhen edhe abortet e mëdha dhe e kemi ngrit këtë çështje, edhe organet e ndjekjes janë në dijeni që kur kanë mbërri në Klinikë abortet e mëdha e kemi pa që dikush i ka provoku, po flas në kohën kur kam qenë drejtor i Qendrës Klinike,. Sot edhe s’dihet sa aborte ka në Kosovë, nuk i lajmërojnë abortet edhe pse na jemi të obliguar që abortet artificiale me i fut në statistika. Pyete dikë sa aborte në Kosovë ka në Kosovë nuk di më të tregu, përpos atyre në QKUK”, thotë profesor Lulaj duke theksuar se nuk ka raportim si duhet të aborteve të realizuara.

Një raport mbi kënvdështrimin e burrave mbi barazinë gjinore në Kosovë, të hartuar dhe lansuar nga UNFPA dhe OSBE në Kosovë, thuhet se rreth dy për qind e burrave të anketuar kanë pasur një partnere e cila ka përjetuar një abort të detyruar.

Dhe 32 për qind e burrave kanë qenë pjesë e këtij vendimi. Gjetjet për gratë tregojnë se pesë për qind e tyre kanë pohuar se kanë pasur një abort të detyruar dhe se në 43 për qind të këtyre rasteve partneri i tyre e ka qenë pjesë e këtij vendimi.

Partneri i tyre e ka paguar procedurën në 57 për qind të rasteve, pra kur gratë kanë kryer abort të detyruar.

Ndërsa një përqindje e vogël e burrave (31%), partneret e të cilëve kanë pasur një abort të detyruar, pohuan se e kanë paguar procedurën, shumica e burrave (78%) e kanë shoqëruar partneren e tyre për abort. Ordinancat që preferojnë, sidomos çiftet e reja thuhet të jenë ato private e jo publike, për disa arsye.

Image

Gratë e pa martuara preferojnë klinikat private për abort

Përderisa në Klinikën Gjinekologjike në QKUK, thuajse shumica e rasteve të ndërprerjeve të shtatzënisë janë kryer te gratë me status martesor dhe që kanë një apo më shumë fëmijë, gratë apo vajzat e reja preferojnë që abortin të e kryejnë në klinika private.

Në të shumtën e rasteve edhe nuk protokollohet rasti i tyre.

Shefi i Pranimit dhe Planifikimit Familjar në QKUK, Jakup Ismaili thotë që vajzat e reja me status jo martesor as që bëjnë kërkesë në klinikën publike. Sipas tij kjo për faktin së QKUK është qendër e madhe spitalore dhe ka qarkullim të madh të njerëzve në baza ditore, dhe ato duan të i ikin stigmës dhe të mbajnë procedurën e kryer konfidenciale.

“Ato që janë të pamartume hezitojnë me ardh për shkak të masës së kjo është Klinikë, për shkak të konfidencialitetit. Por ne i kryjmë para javës së dhjetë, i kryjmë”, thotë ai. Ani pse Ismaili pohon se shumica që kryejnë aborte në QKUK janë gra të martume ose që janë në një lidhje dhe kërkojnë zgjidhje së bashku me partnerin.

Jehona Binishi Hysa, është gjinekologe dhe punon në Spitalin Bahçegji, i cili ka licencë për ofrimin e shërbimeve gjinekologjike, përfshirë edhe ndërprerjen e shtatzënisë.

Ajo tregon se kanë diku 3 deri në 4 kërkesa në javë për këtë shërbim, por edhe në këtë institucion shumica e grave që kërkojnë shërbimin janë të martuara ose në lidhje publike me partnerin e tyre.

“Si duket edhe këtu [vajzat e reja] hezitojnë sepse ne e protokollojmë dhe kemi gjithçka legalisht andaj nuk kemi shumë vajza të reja, ka raste të vogla”, thotë ajo.

Binishi -Hysa tregon megjithatë se ka raste kur pacientet paguajnë ekstra që të shkojnë në orët e vona për abort, kur ka më pak njerëz në spital, apo edhe ka pasur raste kur nuk e kanë ofruar letërnjoftimin për t’u protokolluar dhe janë refuzuar.

“Nuk japin arsye, por ne e lëshojmë fletëlëshimin dhe protokollin që e deklarojmë te shteti. Ne nuk e japim emrin nëse dikush vjen me pyet dhe këtë ia garantojmë pacientes. Kemi pas raste kur nuk na ka dhanë letërnjoftimin, edhe automatikisht e kemi refuzu. Ti mundesh me kërku konfidencialitet me mjekun, dhe askush pos organeve të hetuesisë nuk ka të drejtë me marrë, por këto janë ma shumë raste që kanë shtatzëni jashtëmartesore”, tregon ajo.

Aborti në ordinanca të vogla ndërkaq shihet si diçka e rrezikshme për shëndetin e gruas ngase sipas profesionistëve ato nuk përmbushin kushtet e intervenimit në raste të komplikimit.

“Çdo ndërhyrje mjekësore e sidomos ato ilegale mund ta rrezikojnë drejtpërdrejt shëndetin e nënës. Prej ndërlikimeve më të shpeshta që mund të ndodhin gjatë kryerjes së një aborti janë: gjakderdhjet që mund ta kërcënojnë direkt jetën e gruas, pastaj sepsis që zhvillohet shumë shpesh pas abortit kriminel apo ilegal, infeksioni që mund të qojnë në sinechiauterine dhe sterilitet, përforacioni i mitrës që mund të shoqërohet me dëmtime të zorrëve, vezikës urinare, dhe hemorragji deri në gjendje të rëndë shokante”, tregon shefi i pranimit dhe planifikimit familjar në QKUK, Jakup Ismaili.

Madje sipas tij aborti i fëmijës së parë, sipas tij mund të qoj në fertilitet. “Mundet mos me lind kurrë ma”, thotë ai duke shpërfaq qasjen kundër abortit që ai dhe kolegë të tij të klinikës publike kanë. Megjithatë jo të gjithë mjekët pajtohet në këtë pikë.

Jehona Binishi Hysa nga spitali “Bahçegji” nuk pajtohet me një konstatimin e tillë. Ajo thotë se metodat e abortit kanë avancuar dhe tashmë kur përformohet si duhet atëherë nuk mund të ketë as dëmtime që qojnë në fertilitet.

“Sot instrumentet janë sofistikuar, domethënë ne e bëjmë aspirimin me ingjeksion të silikonit që është e hollë pesë milimetra, e rrumbullakët, e hollë edhe është shumë jotraumatike, edhe mundësia me perforu, me shpu mitrën është shumë e ulët, sepse ajo është silicon, veç nëse je shumë agresiv ti mundesh me baperforim, do të thotë tash është perfeksionu, edhe bëhet me një aspirator të dorës si shpric i madh, i vendoset do të thotë ajo aspiratori i silikonit dhe thithet, dhe në të njëjtën kohë e monitorojmë me ultrazë, në momentin që e shohim që e kemi thith përmbajtjen, ateherë është veç e përfundume.

Pacientja ka me pasë gjakderdhje një javë, po është normale, domethënë është shumë shumë pak traumatike sot, për shkak se janë sofistiku edhe instrumentet me të cilat bëhet [aborti]”, tregon ajo.

Argumenti “që pas abortit të parë nuk mund të bësh më fëmijë”, sipas gazetares Leonida Molliqaj ndërkaq më tepër shihet si një tendencë për të frikësuar vajzat dhe gratë jo vetëm për abort por edhe për jetën seksuale të tyre që assesi nuk duhet të vihet në pah në shoqërinë kosovare patriarkale.

“Në përgjithësi marrëdhëniet seksuale për burrat dhe gratë shihen ndryshe. Përderisa për burrat është ma e lehtë për gratë nuk diskutohet kjo.

“Aborti jo që nuk lejohet hiç se hiç për vajzat apo gratë e pa martuara por as seksi. Këtë e kam vërejt për shembull edhe tek intervistat me mjekët, në një prej intervistave në një prej klinikave ma të mëdhaja private thotë se ne nuk i pranojmë vajzat që vijnë me abportu pa partner ose pa burrë të shpisë. Sepse konsiderojnë se vajzat nuk janë të denja vet me vendos a po donë me u bo nana apo jo, edhe pse i kanë mbi 18 vjet”, thotë Molliqaj.

Aktivistë të të drejtave të grave nën anën tjetër e shohin problematikë që i shtynë vajzat e reja në ilegalitet për abort edhe qasjen e stafit mjekësor në Klinikën Gjinekologjike në QKUK apo spitale tjera publike rajonale. Sidomos për shkak të qasjes “moraliste” dhe dënuese ndaj abortit si në rastin e stafit të QKUK-së, që e quan abortin – “vrasje” dhe tentojnë të bindin pacientët të heqin dorë nga kërkesa e tyre për abort.

Adelina Berisha nga Rrjeti i Grupit të Grave thotë se kjo qasje është edhe tendencë për ti mbuluar doktorët njëri -tjetrin. Shumica e mjekëve që punojnë në QKUK, kanë ambulanca private.

“Kishë qenë mirë me këqyr kush janë këta gjinekolog së pari dhe është mirë me këqyr a punojnë në këto klinika ku ka drejtë me u bë aborti apo kanë kësi lloj ambulanca të vogla gjinekologjike ku mu ma merr mendja që direkt i qojnë këto pacientë atje për me përfitu vetë”, thotë Berisha.

Sipas saj mund të konsiderohet edhe e kundërligjshme nëse ka tendencë për të larguar nga klinikat publike gratë dhe vajzat, e për t’i dërguar në ato private ku edhe çmimi dallon dukshëm nga QKUK, ku paguan diku afro 50 euro për abort.

E në ordinanca private çmimet variojnë prej 300 eurosh e deri në mijëra euro. As gjinekologe Jehona Binishi Hysa nuk pajtohet me qasjen për të bindur pacienten ndryshe nga mendimi i saj, sado që thotë se ndërprerja e shtatzënisë nuk është procedurë e këndshme as për mjekun. Ajo thotë se në ordinancë e saj private, të cilën thotë se e ka të licencuar nuk merr aborte tek shtatzënitë mbi 6 javë. Por nuk ndikon tek vendimi i pacientes nëse ajo është mbi 18 vjeç dhe e vendosur.

“Derisa është e pjekur dhe ka vendosur me bë atë veprim, në suaza të ligjit, që është më vështirë për te sesa për neve si profesionistë, sepse me të thanë të drejtë nuk e kam fare të lehtë kur e bëjë një procedurë të tillë por është profesioni im, dhe përderisa vjen ajo vet nuk më takon me ndalë”.

Jakup Ismaili anën tjetër, mohon kategorikisht që qasja e stafit të QKUK-së apo Komisionit mund të jetë e atillë që të dërgojë vajzat apo gratë në ambulancat private.

“Unë jam këtu [në pozitën që ka] që katër vjet. Asnjë abort nuk është kry që e kemi refuzu. Shumica e aborteve kryhen me anestezion lokal, por edhe ato që insistojnë kryhen me anestezion të përgjithshëm. Por me u kthy me i thanë shko në Klinikën Private jo, sa jam unë këtu jo”, thotë ai. Madje i vetëdijshëm që në rastet kur Komisioni profesional e refuzon ndonjë paciente, ajo gjen zgjidhje diku tjetër, madje edhe në klinika në Shkup.

“Dëgjomë nëse Komisioni e kthen pas javës së dhjetë, ajo gjen zgjidhje shkon në Shkup e shkon atje e… Po vijnë këtu kemi raste në javën e 14-të se e kam çikë, pse me ndërpre, ose në 15 javë ajo është krim, vrasje”, thotë ai.

Klauzolë:Ky artikull është përkrahur në kuadër të projektit të financuar nga Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë dhe i zbatuar nga BIRN dhe AGK. Përmbajtja e këtij botimi është përgjegjësi e autorit dhe në asnjë mënyrë nuk mund të konsiderohet si qëndrim i Bashkimit Evropian ose BIRN-it dhe AGK-së”.