Deri të premtën publikohen rezultatet nga konkursi i policisë

Emrat e kandidatëve të cilët do të marrin pjesë në testimin me shkrim për tu bërë pjesëtarë të Policisë së Kosovës do të publikohen gjatë ditës së nesërme, eventualisht deri të premtën

Këtë e ka konfirmuar drejtori i Policisë së Kosovës Rashit Qalaj në një intervistë për KALLXO.com.

“Konkursi është duke shkuar mirë dhe mund të them lirisht se brenda 10 ditëve do të bëhet testi me shkrim, ndërsa publikimi do të bëhet nesër ose pasnesër në mënyrë që të filloj testimi me shkrim dhe të vazhdoj procesi” tha Qalaj për KALLXO.com.

Qalaj shtoi se kanë pasur disa probleme me konkursin pasi që është dashur që të bëhet verifikimi i një numri shumë të madh të dokumentacioneve.

Sipas Qalajt është një fat i mirë për Policinë e Kosovës që në këtë konkurs kanë aplikuar mijëra kandidatë.

“Është fat i madh që në këtë konkurs janë paraqitur me mijëra njerëz, pasi këtë fat nuk e kanë policia tjetër në botë. Kjo është një ndihmë e fortë për Policinë e Kosovës kur paraqitet numër më i madh i kandidatëve” tha Qalaj.

Policia e Kosovës kishte hapur konkursin për pranimin e pjesëtarëve të rinj me 16 prill.

https://kallxo.com/policia-hap-konkurs-per-pjestare-te-rinje/