Deputetja Kadaj-Bujupi kritikon Mogherinin për qasjen ndaj Kosovës

Deputetja e AAK-së, Donika Kadaj-Bujupi, ka deklaruar se marrëveshja e mundshme përfundimtare mes Kosovës dhe Serbisë nuk mund të jetë proces shërbyes “për ngritje të karrierës profesionale të askujt”.

“Aq më pak e përfaqësueses së lartë të Bashkimit Evropian, Federika Mogerinit, e cila po kërkon që politika e jashtme e Kosovës të drejtohet me parimin e nënshtrimit ndaj kushteve të Aleksandër Vuçiqit dhe Ivica Daçiqit”, ka shkruar deputetja në Facebook.

Sipas Kadaj-Bujupit, Republika e Kosovës është për dialog të mirëfilltë.

“Imponimet dhe shantazhet (edhe ato të llojit: kompromise të dhimbshme me Serbinë për liberalizimin e vizave) nuk janë frymë dhe vlerë e Bashkimit Evropian. As ndërmjetësimet me pikëpamje të paracaktuara, siç është “parti pris”-i. Republika e Kosovës është për dialog, por për dialog të mirëfilltë. Përtej interesave personale dhe agjendave politike që e dëmtojnë interesin e Republikës sonë”, ka përfunduar ajo.