Deputetja e VV-së kërkon ashpërsim të kritereve për marrjen e patent-shoferit

Deputetja e Kuvendit të Kosovës nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Fatmire Kollçaku, ka kërkuar të rriten kriteret për marrjen e patent-shoferit për shkak të aksidenteve të shumta që po ndodhin kohëve të fundit.

“Këtu po flas shumë e shqetësuar sepse çdo ditë po ballafaqohemi në trafik sidomos të rinjtë të cilët vijnë deri te patentë shoferi shumë lehtë, nuk ndiqet pjesa teorike që është obligative për një të ri një e merr patentë shoferi. Unë jam për atë që të ashpërsohen kriteret shumë dhe aty të harmonizohemi”, tha deputetja Kollçaku.

Ajo tha se është shqetësim i madh se si bëhen tejkalimet në autostradë që sipas Kollçakut shpesh bëhen edhe në anën e kundërt.

“Çdo ditë jemi të rrezikuar dhe çdo ditë duhet me pas fat me arrit shëndosh e mirë me një destinacion ku je nisur.  Të rinjtë fare nuk kanë frikë sepse kriteret për marrjen e patentë shoferin janë të lehta sepse ne fokusohemi te gjobat”, tha Kollçaku.

Deputetja e Vetëvendosjes tha se shteti ynë më shumë po merret me rritjen e gjobave në trafik sesa për preventivë në komunikacion.

Ky diskutim u bë gjatë shqyrtimit të Projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për patent-shoferi i cili nuk u votua në Kuvend për shkak të mungesë së kuorumit.