Deputetja e LDK-së: Edhe pas 11 viteve shtetësi nuk po garantohen të drejtat e njeriut

Në seancën e jashtëzakonshme të thirrur sot nga grupet parlamentare të LDK-së, LVV-së dhe Alternativa, ka folur edhe deputetja nga Lidhja Demokratike e Kosovës, Lirije Kajtazi.

Sipas Kajtazit, thirrja e seancës ka ardhur si pasojë e rastit të fundit në Drenas, ku u abuzua me një të mitur, fillimisht nga Profesori i saj e më pas edhe nga një hetues i policisë.

“Si bashkëinicuse e kësaj seance, kemi dashur të bëjmë një alarm se ka dështuar një sistem. Kosova nuk po u garanton edhe pas 11 vjet shtet të drejtat e njeriut” tha Kajtazi në fjalën e saj në Kuvendin e Kosovës.

Ajo ka thënë se ligjet dhe mekanizmat institucional që mbrojnë të drejtat e njeriut në vend, nuk e kanë kryer detyrën e vet dhe ka munguar aderimi i problemeve reale.

“Nuk kemi adresim të mjaftueshëm në hallkën e sistemit të drejtësisë. Kushtetuta flet për shume te drejta, por realiteti jo” u shpreh Kajtazi.

Më tej ajo ka përmendur një studim të organizatës jo- qeveritare Qendra Për Studime Gjinore, mbi ngacmimet seksuale në vende të punës.

“Studimi thotë se ka ngacmime në vendet e punës për gratë. 35.6 mendojnë se dukuria e ngacmimeve seksuale është e pranishme në institucione publike. Gjendja është me e keqe në sektorin privat. Shumica e tyre e trajtojnë punëtorin si skllav. Të dhënat e tyre flet për pa besueshmëri në institucione, private dhe publike” tha ajo.

Ajo u ka bërë thirrje kolegëve deputet nga partitë tjera që të bëhen bashkë për të nxjerr rekomandime mbi këtë çështje.

“Shumë raste nuk janë bërë publike. Shfaqja e këtyre rasteve tregon të metat e institucioneve tona. Po shpresojmë të bëhemi bashkë për rekomandime në këtë temë” përfundoi ajo.