Teuta Haxhiu (AAK). Foto: Kallxo.com

Deputetja e AAK-së i kundërpërgjigjet Kurtit për rrëzimin e Qeverisë

Deputetja e AAK-së, Teuta Haxhiu ka deklaruar se subjekti i saj politik është i përgatitur për zgjedhje në rast se iniciohet mocion mosbesimi ndaj Qeverisë së Ramush Haradinajt.

“Asnjëherë nuk i mohohet e drejta e mocionit. Në fund të fundit ne jemi në Kuvend, kurdo që ndodhë një mocion i tillë ne sinqerisht jemi shumë të përgatitur për me dalë edhe në zgjedhje”, tha ajo për KALLXO.com, duke iu përgjigjur akuzave të liderit të VV-së, Albin Kurti ndaj koalicionit PAN.

Deputetja ka shtuar se Kurti duhet t’i kujtojë investimet në Prishtinë, kur kryetari Shpend Ahmeti ishte në VV.

“Konsideroj se është krejt normale në kuptimin e opozitarizimit që e bën një subjekt politik. Por për mua është jo normale përderisa tash Prishtina udhëhiqet nga ish kandidati i Vetëvendosjes, pra nga z. Shpend Ahmeti, dhe qe asnjëherë Prishtina nuk ka përfituar më shumë sesa në qeverisjen Haradinaj. Është mirë që zotëri Kurti të përshëndet vendimet e Qeverisë Haradinaj”, është shprehur ajo.

Sipas deputetes, qeveria aktuale po investon edhe në Komunën e Prizrenit, cila udhëhiqet nga Mytaher Haskuka i VV-së.

Haxhiu ia ka përmend Kurtit, ndarjen në VV, kur 12 deputetë formuan grupin e tyre parlamentar përmes PSD-së.

“Jam shumë e sigurt që z. Kurti për shkak të ndarjes së thellë që e ka pas brenda subjektit të vet dhe të gjitha ato gjëra që kanë dalë atë kohë, që nuk kanë ndodhë në asnjë subjekt politik. Kjo ka qenë diçka e keqe për qytetarin e vendit e lëre më për subjektin politik. I kisha sugjeruar  që mirë është me i shiku ndarjen e thellë brenda subjektit të tyre, përkundër se nuk mundet askush në grusht me e mbajt një subjekt politik, siç pretendon z. Kurti”, ka thënë deputetja e AAK-së, për KALLXO.com.

Kryetarit të VV-së, Albin Kurtit i ka reaguar edhe Shefi i Grupit Parlamentar të Nismës Socialdemokrate, Bilall Sherifi.

Sherifi përmes një publikimi në Facebook, i ka quajtur hipokrizi paraqitjen dhe akuzat e Kurtit.

Lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti ka paralajmëruar protesta dhe mocion mosbesimi ndaj ‘Qeverisë Haradinaj’.

Kurti në një konference për media tha se korrupsioni, papunësia e migrimi po rriten, kurse sipas tij investimet, rendimentet dhe arsimi po bien falë qeverisë aktuale.

https://kallxo.com/albin-kurti-nis-protestat-kunder-ramush-haradinajt/