Saranda Bogujevci

Deputetja Bogujevci kërkon që të largohet nga mediat fotoja e gruas së dhunuar në luftë

Deputetja nga Lëvizja Vetëvendosje, Saranda Bogujevci ka kërkuar që të largohet nga mediat fotografia e gruas së dhunuar të cilën deputetja nga PDK, Flora Brovina e solli sot në Kuvend.

“Është kërkesë e familjarëve dhe janë të shqetësuar, kanë kontaktuar qendrën KRCD, ku e udhëheqë zonja Feride, kisha kërkuar që të respektohen dhe të largohet ajo fotografi”, tha Bogujevci.

Tutje ajo tha që gjesti i tillë i bërë nga deputetja Brovina është ‘i padrejtë dhe i pa dinjtetshëm’.

“Zonja Brovina më vjen shumë keq po është komplet e pa drejtë që u bo ajo, shihet viktima po thu që është gjallë imagjinoni si ndihet ajo, kjo i bjen të mos trajtohet me dinjitet ai person, nuk e di a ke qellu ti met t’pa dikush në qatë gjendje, këto gjana duhet me u marrë me përgjegjësi”, theksoi ajo.

Sot është duke u mbajtur seanca në të cilën pritet Shqyrtimi i Propozim-Rezolutës për gjenocidin, krimet kundër njerëzimit dhe krimet e luftës të ish-regjimit shtetëror serb në Kosovë, dhe në kohën e deklarimit jashtë rendit të ditës, deputetja Brovina shkoi mediat dhe e ekspozoi një fotografi ku shihej një grua nga Kosova duke u dhunuar nga forcat serbe gjatë luftës 1999.