Deputeti Armend Zemaj - Foto: Facebook/ArmendZemaj

Deputeti Zemaj përmend injorimin e vendimit të gjykatës nga Këshilli Gjyqësor

Deputeti i LDK-së, Armend Zemaj, tha se Kodi Penal nuk është problem për sundimin e ligjit në Kosovë por janë individët dhe bartësit e përgjegjësive të sistemit të drejtësisë dhe politikë që tentojnë të interferojnë.

“Unë mendoj që problemi nuk është te Kodi Penal, nuk është te ndryshimet ligjore, problemi është te individët që janë bartës të përgjegjësive të sistemit të drejtësisë duke filluar nga prokuroria dhe gjykata dhe pjesa që ne e quajmë ndikimi politik të çfarëdo forme që interferohet apo tentohet të shikohet në atë formë”, tha Zemaj.

Deputetit Zemaj përmendi edhe lajmin që është publikuar në KALLXO.com për mosrespektimin e vendimeve të gjyqësorit nga Këshilli Gjyqësor i Kosovës.

“Ne vetëm dje e kishim një lajm që thotë vendimet e gjyqësorit nuk respektohen nga Këshilli Gjyqësor i Kosovës, dhe ku është pengesa e Kodit Penal dhe Kodit të Procedurës Penale”, deklaroi Zemaj.

KALLXO.com gjatë ditës së djeshme kishte raportuar se si Këshilli Gjyqësor i Kosovës kishte injoruar vendimin e gjykatës, injorim ky që më parë nuk kishte ndodhur.

https://kallxo.com/turpi-kosovar-kgjk-nuk-e-respekton-vendimin-e-gjykates/

Në mbledhjen e mbajtur më 30 maj, disa nga anëtarët e KGJK-së e kishin kundërshtuar dhënien e qasjes për BIRN-in, në vendimet disiplinore, vendime këto për të cilat gjykata tashmë me vendim të formës së prerë ka vendosur se janë publike.