Deputeti Turk: Të Deportuarit Vepruan nën Maskën e Mësimdhënësit

Deputeti i komunitetit turk Fikrim Damka i ka dalë në mbrojtje arrestimit dhe dëbimit të gjashtë shtetasve turq të cilët javën e kaluar u ekstraduan në Turqi. Ai në fjalimin e tij në Kuvend, ka thënë se këta persona kanë paraqitur rrezik për Kosovën.

“ Një pjesë e personave të deportuar nga  Kosova kanë vepruar nën maskën e mësimdhënësit, por në anën tjetër janë marrë me veprime ilegale. Hulumtoni mirë për çka akuzohet mjeku i deportuar, hulumtoni se si ka ndikuar mjeku i deportuar në proceset gjyqësore përmes hartimit të raporteve të rrejshme. Po ashtu kërkoni qarkullimin vjetor prej 60 milionë euro të ashtuquajtur shkollës së ‘Hyzmetit’. Ku derdhen ato mjete, krahasoni ato mjete me buxhetin me MASHT”, tha Damka.

Damka tha se organizata “FETO” është organizatë terroriste, ndërsa kryesuesin e saj Fetullah Gylen e quajti kryekriminel.

Sipas deputetit Damka, njerëz të organizatës “FETO” në Kosovë janë marrë edhe me punë të tjera.

“ Sipas raportit të AKI-së janë edhe disa fakte të tjera si: financimin e mediave kosovare, rekrutimin e informatorëve në Ministrinë e Brendshme, në Policinë e Kosovës dhe në FSK, identifikimin e zyrtarëve e Policisë së Kosovës që merren me sigurimin e ambasadave në Kosovë etj”, deklaroi ai.

Deputeti nga minoriteti turk kritikoi udhëheqësit e Kosovës duke thënë se kanë treguar paaftësi në menaxhim të krizës me shtetin e Turqisë.

“ Udhëheqësit e shtetit të ri të Kosovës me qasjet e tyre në ngjarjet e tyre me vetëdije apo pa vetëdije dëshmojnë paaftësinë e tyre si në koordinim të tyre, ashtu edhe në menaxhim të krizës me një shtet mik siç është Republika e Turqisë”, pohoi Damke.

Nga foltorja e Kuvendit të Kosovës, deputeti Damke tha se organizata “FETO” ka pasur përpjekje për të marrë aparatin shtetëror të Turqisë.

“Organizata famëkeqe me datën 15 korrik 2016 ka bërë tentim puç tu përdorë armë, aeroplanët dhe helikopterët e forcave të armatosura turke.  Në këtë tragjedi kanë humbur jetën 248 qytetarë të pafajshëm turq, ndërsa 2196 persona janë plagosur”, deklaroi deputeti Damka.

Sipas deputetit Damka, marrëdhëniet mes Kosovës dhe Turqisë mund të jenë shumë negative për shkak siç thotë ai “përpjekjes së vazhdueshme të një pjese të opinion bërësve të Kosovës për të shfajësuar elementet e ndërlidhura me organizatën terroriste ‘FETO’”, tha ai.