Deputeti: Ndërhyrjet e kryeministrit janë të dëmshme për arsimin e lartë

Komisioni parlamentar për Arsim, Shkencë, Teknologji, Kulturë, Rini, Sporte, Inovacion dhe Ndërmarrësi i cili ishte ftuar për të diskutuar lidhur me situatën e krijuar pas vendimeve të Këshillit Shtetëror të Cilësisë ka dështuar të mbahet si pasojë e mungesës së deputetëve.

Kryetari i Komisionit për Arsim, Ismajl Kurteshi, tha se Komisioni e ka të pamundur që të vendos diçka por mund të themi atë se çfarë mendojmë për gjendjen pas vendimeve të KShC-së.

“Duke pasur parasysh se shumica e anëtarëve të komisionit nuk kanë ardhur ne e kemi të pamundur që të vendosim për diçka. Ne këtu jemi përfaqësues të subjekteve tona politike dhe secili mund të deklarojë për atë se çka mendon në lidhje me këtë”, tha ai.

Ai ka thënë se Komisioni që udhëheq do të ftoj edhe kryeministrin Ramush Haradinaj dhe ministrin e Arsimit, Shyqiri Bytyqi për të diskutuar për situatën.

“Kjo mbledhje që dështoi do ta ftojmë të hënën në orën 13:00 dhe në atë takim do ta ftojmë edhe ministrin e Arsimit edhe kryeministrin për të diskutuar mbi të gjitha çështjet”, deklaroi Kurteshi.

“Pas vendimit të Këshillit Shtetëror të Cilësisë në lidhje me vendimin qe kanë marrë për tri universitete publike ka pasur reagime të shumta. Unë mendoj se KShC është institucion i pavarur profesional dhe ka të drejtë të marrë vendime bazuar në legjislacioni në fuqi. Mendoj se ndërhyrjet nga deklarata politike si ajo e kryeministrit dhe ministrit janë të pavend dhe të dëmshme dhe do të duhej të mos ndodhnin sepse vetëm po e dëmtojnë procesin. Nëse dikush ka argumente se KShC nuk ka vepruar në mënyrë të duhur proceduralisht pasi se ka marrë vendim të njëanshëm i ftojmë që ato t’i kontestojnë në gjykatë”, tha tutje ai.