Deputeti: Kosova, poligon i futjes së mallrave me cilësi të ulët

Deputeti i Grupit të Deputetëve të Pavarur, Salih Salihu, i cili është edhe njëri nga iniciuesit e debatit bashkë me deputeten Ganimete Musliu, tha se ajo çka po ndodh me mishin e importuar është shqetësuese dhe shumë e rrezikshme për shëndetin e qytetarëve të Kosovës.

“Aktualisht Kosova importon sasi të madhe të ushqimit për të cilat besohet se nuk i përmbushin kriteret minimale për cilësi dhe siguri, pra janë jashtë çdo norme të cilësisë. Në këtë kuptim mallrat e ardhura në Kosovë besohet se prodhohen në linja të veçanta të dedikuara për tregun e Kosovës’, tha ai.

Sipas tij, me mungesë të funksionimit të institucioneve të vendit, sidomos AUV-it si dhe doganave të Kosovës, Kosova është bërë poligon i futjes së mallrave me cilësi dhe siguri të ushqimit të ulët duke rrezikuar seriozisht shëndetin e qytetarëve.

Salihu pati akuza ndaj Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinës, duke thënë se nuk arriti të funksionalizohet që prej themelimit.

Derisa, shefi i AUV-it, sipas tij, po arrinë mirë t’i menaxhoj skandalet e njëpasnjëshme që po i shkakton kjo agjenci.