Deputeti Kërkon Dorëheqjen e Drejtorit të Agjencisë për Menaxhimin e Memorialeve

Alarmi publik lidhur me rrezikun e dëmtimit të kullave historike të familjes Jashari në Prekaz, çoi në akuza të ndërsjella të institucioneve lidhur me moskujdesin ndaj këtij Kompleksi.

Deputeti nga Nisma për Kosovën, Enver Hoti kërkoi dorëheqje morale nga kryetari i Agjencisë për Menaxhimin e Komplekseve Memoriale të Kosovës, Idriz Blakaj.

Këtë kërkesë ai e bëri në emisionin ‘Jeta në Kosovë’ që këtë javë i kushtohet ruajtjes së trashëgimisë shtetërore me theks në kompleksin memorial të familjes Jashari në Prekaz.

“Ju po e përsërisni vazhdimisht që nuk ka pasur interesim institucional, kur i keni parë këto pengesa me përgjegjësitë që i keni marrë, është dashur të jepni dorëheqje. Ky agjencion duhet ta dijmë çfarë peshe ka. Nëse vijmë në situatën që për shkak të një mospërkrahje ose pengesave të institucioneve të cilat janë mbi ty dhe të kanë krijuar ty atëherë së paku duhet ta gjesh forcën morale për të dhënë dorëheqje dhe të thuash që nuk mundem me çu deri në fund këtë detyrë”, tha Hoti.

Kësaj kërkese, Blakaj iu përgjigj me ironi duke thënë se po pret edhe dorëheqjen e deputetëve si Hoti para se ta bëjë vetë.

“Unë nuk kam dhënë dorëheqje për të vetmen arsye se thojsha me bo me dhënë dorëheqje unë japin edhe këta e pastaj ku po mbetet Kosova. Këto janë hajgare çka është duke thënë Enveri”, tha Blakaj.

Përballë Jeta Xharrës, për këtë temë debatuan edhe Idriz Blakaj nga Agjencia për Menaxhimin e Komplekseve Meoriale të Kosovës, Jusuf Thaçi, qytetar dhe Florina Jerliu, Arkitekte.

Emisionin e plotë ‘Jeta në Kosovë’, mund të ndiqni në linkun e mëposhtëm: