Deputeti i VV-së, Arbër Rexhaj

Deputeti i VV-së: Qytetarët nuk po ikin nga Kosova, por nga varfëria

Deputeti Arbër Rexhaj, në emër të Lëvizjes Vetëvendosje e vlerësoi të jashtëzakonshme ikjen e qytetarëve nga Kosova në shtete të ndryshme të botës.

“Tema është e jashtëzakonshme, por kryeministri nuk është prezent dhe kjo është e papërgjegjshme dhe e pafalshme. Është e çuditshme sesi institucionet nuk i kanë rënë këmbanave pas ikjes së familjarëve dhe nxënësve nga Kosova”, tha deputeti opozitar në debatin parlamentar.

Sipas tij, ikja nuk po ndodhë vetëm nga të rinjtë, por nga qytetarët e Kosovës. Ai shtoi se qytetarët nuk po ikin nga Kosova, por nga varfëria.

“Qeveria të shpallë gjendje të jashtëzakonshme dhe të kërkonte rrugë për të dalë nga kjo gjendje e pashpresë. Kjo qeveri nuk e do pakënaqësinë, sa më pak njerëz këtu, aq më mirë për ta. Po largohen edhe ata që kanë një punë të cilën nuk e ndjejnë veten të sigurtë në këtë vend”, theksoi Rexhaj.