Deputeti i PSD: Nesër shkarkohet Rikalo

Deputeti i Partisë Social Demokrate, Frashër Krasniqi, ka paralajmëruar votën e 12 deputetëve të këtij subjekti opozitar për buxhetin e këtij viti.

Për t’ia dhënë qeverisë këto vota, PSD i ka bërë kusht qeverisë, ndër tjera, që ta shkarkojë edhe ministrin e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Nenad Rikalo.

Në një postim në Facebook, Krasniqi tha se Rikalo do të shkarkohet nesër.

“Nesër shkarkohet Rikallo. Nesër miratohet ligji për paga, që ua rritë pagat të gjithë punëtorëve të sektorit publik, kurse ua ulë politikanëve. Nesër miratohet ligji për dialog. Nesër bëhet komisioni ad-hoc për sistemin pensional”, tha Krasniqi.

“Nesër dëshmohet edhe njëherë që në Kosovë mund të bëhet politikë e vërtetë, konkrete, pa përfitim personal, për të mirën e qytetarëve të Kosovës”, tha deputeti i PSD-së.