Deputeti i LVV-së me post edhe në Qeveri edhe në Kuvend

Lëvizja Vetëvendosje që nga e hëna po udhëheq me qeverinë e Kosovës, bashkë me Lidhjen Demokratike të Kosovës. Mirëpo një nga zyrtarët e LVV-së, tash e një kohë ka udhëhequr me një institucion që është në kuadër të Qeverisë.

Ish-deputeti i LDK-së, tani i Vetëvendosjes, Shpejtim Bulliqi përveç që është i zgjedhur i popullit nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, ai është edhe i ‘zgjedhuri’ i Ramush Haradinajt për të udhëhequr me Komisionin për Shënjimin dhe Mirëmbajtjen e Kufirit Shtetëror.

Shpejtim Bulliqi momentalisht ka dy poste. Një në kuadër të Qeverisë, e një tjetër në Kuvend.

Qysh në ditën e parë të tij si kryeministër, Ramush Haradinaj kishte shkarkuar të gjithë komisionin që e kryesonte Murat Meha, ndërsa rreth 2 javë më vonë në krye të këtij Komisioni e kishte emëruar Shpejtim Bulliqin.

Ai kishte qenë njëri nga zërat më kundërshtues të marrëveshjes së Demarkacionit mes Kosovës dhe Malit të Zi.

Shpejtim Bulliqi – Foto: KALLXO.com

 

Me profesion gjeograf, Bulliqi si ish-deputet i LDK-së, kishte kundërshtuar ashpër marrëveshjen që e kishin arritur shefi i tij i atëhershëm, Isa Mustafa.

Kjo iu kishte hakmarrë me “përjashtim” nga partia, derisa ishte ofruar nga Haradinaj për të zëvendësuar Murat Mehën.

Ndërsa së fundmi, ndonëse udhëhiqte me këtë Komision, Bulliqi ishte zyrtarizuar si prurje në Lëvizjen Vetëvendosje.

Në zgjedhjet e 6 tetorit ishte kandidat për deputet, ndërsa sot është njëri nga 29 deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje.

Në një bisedë për KALLXO.com, Bulliqi thotë se në lidhje me këtë i ka dërguar një letër-kërkesë Agjencisë Kundër Korrupsionit, menjëherë pas certifikimit të rezultateve të 6 tetorit nga KQZ.

“E kam dërguar një kërkesë në Anti-Korrupsion dhe jam duke pritur përgjigje prej tyre. Në realitet pozicionin e kam të pezulluar, deri në marrjen e përgjigjes”, tha Bulliqi për KALLXO.com.

I pyetur se cilin post do ta mbajë, në rast se Anti-Korrupsioni i kërkon ta lirojë njërën nga detyrat, Bulliqi thotë se do të mbajë atë të deputetet.

“Unë jam i zgjedhur deputet. Për këtë e kam pezulluar postin e kryesuesit menjëherë pas certifikimit të rezultateve”, tha Bulliqi për KALLXO.com

Mandati i anëtarëve të Komisionit është 3 vjeçar.

Mandati i këtij Komisoni përfundon në shtator të këtij viti.