Deputeti i Kosovës i gatshëm të paguajë dënimin e Xhakës dhe Shaqirit

Dënimi i dy lojtarëve të kombëtares së Zvicrës, Granit Xhaka e Xherdan Shaqiri, nga FIFA për shkak të festimit të tyre pas golave të shënuar kundër Serbisë ka ngjallur reagime të ndryshme edhe në Kosovë, prej nga janë me origjinë dy lojtarët Xhaka e Shaqiri.

Një deputet i Kuvendit të Kosovës nga radhët e AAK-së është shprehur i gatshëm të paguajë këtë dënim të dy lojtarëve që kryqëzuan duart për të bërë shqiponjën dykrerëshe – simbolin kombëtar të shqiptarëve.

Në një postim në profilin e tij në “Facebook”, Gani Dreshaj e ka quajtur “të papeshë” dënimin e Xhakës dhe Shaqirit nga FIFA.

“Më dëshirën më të madhe do të doja që unë të paguaja këtë dënim, por e di se sukseset e tyre në futboll kanë bërë që edhe fuqia e tyre financiare të jetë stabile”, ka shkruar Dreshaj.

“Pra, sa herë që ata bëjnë shqiponjën, unë iu them se marr përgjegjësinë e gjobave nga FIFA”, ka shtuar ai.

KALLXO.com raportoi sot se tre lojtarë të Zvicrës u dënuan pikërisht për festimin e fitores ndaj Serbisë me bërjen e simbolit të shqiponjës.

https://kallxo.com/fifa-denon-xhaken-e-shaqirin-me-nga-10-mije-franga/

Granit Xhaka e Xherdan Shaqiri u dënuan me nga 10 mijë franga zvicerane e Stephan Lichtsteiner me 5 mijë franga.