Operacioni për kërkimin e policëve të zhdukur, Foto: Kallxo.com

Deputeti flet për zhytjen në Lepenc në kërkim të policëve

Deputeti i Vetëvendosjes Liburn Aliu tregoi se sot ishte pjesë e një grupi zhytësish që kërkuan dy policët nëpër Lepenc.

“Po sot kam qenë pjesë e kërkimit bashkë me kolegët e mi të klubit të zhytjes ‘Prishtina’ dhe bashkë me ne ishte sportistin Anton Cena”, tha Liburn Aliu për KALLXO.com.

Ai tregoi se grupit iu bashkuan edhe aktivistë nga Kaçaniku.

Deputeti deklaroi se kërkimi është bërë në koordinim me përgjegjësit e aksionit.

“Kërkimin e kemi bërë në koordinim me shtabin dhe instruksionet dhe pikat e kërkimit na i ka përcaktuar eprori i policisë Alban Jetullahu”, tha Liburn Aliu për KALLXO.com.

Dy policët bashkë me makinën zyrtare ranë në lumë të shtunën, ndërsa nga ajo ditë po kërkohen trupat e tyre.

KALLXO.com shkroi vazhdimisht për kërkimin që po u bëhet policëve të zhdukur.