Ilustrim - Kuponët fiskal

As Deputeteve Nuk u Japin Kuponë Fiskalë

Jo vetëm qytetarët e thjeshtë të Kosovës po ballafaqohen me problemin e mosdhënies së kuponit fiskal nga bizneset, po një gjë e tillë po u ndodhë edhe deputetëve të Kuvendit të Kosovës.

Deputetet Besa Gaxheri dhe Safete Hadergjonaj njëherësh pjesë e Komisionit për Buxhet dhe Financa në Kuvendin e Kosovës, shprehën shqetësimin e tyre para kreut të Administratës Tatimore të Kosovës (ATK) Sakip Imeri për mosdhënien e kuponëve fiskalë nga bizneset.

Gaxherri në komision tha se bizneset nuk po lëshojnë kuponë fiskalë duke u nisur edhe duke përjetuar edhe vetë nje gjë të tillë.

“Sa herë udhëtoj prej Peje në Prishtinë ndalem për të marrë karburant, asnjëherë nuk më jepet kuponi fiskal, duhet me pritë”, tha Gaxherri.

Deputetja e tha këtë ditën kur drejtori i ATK-së Sakip Imeri paraqiti raportin në lidhje me të hyrat nga tatimet.

Gaxherri më tutje pyeti se sa nga bizneset nuk kanë arka fiskale.

“Në raport po e shohim se i kemi dikund 24 mijë e 669 biznese të fiskalizuara, pyetja ime konkrete është në kuadër të bizneseve aktive që ju i keni të regjistruara sa janë të pafiskalizuara konkretisht dhe pse janë të pafiskalizuara?” pyeti Gaxherri.

Edhe deputetja Safete Hadërgjonaj tregoi se nuk po i jepen kuponët fiskalë.

“Në qendra më të vogla dhe në qendrën time prej nga vij unë, e di që ata kanë arka fiskale, i kanë dhe nuk ka shanse teorike as praktike me e marrë kuponin fiskal, pse ndodh kjo?” pyeti Hadërxhonaj.

Imeri tha se në raportin vjetor janë të dhënat për të gjitha trajtimet e Departamentit të Ankesave dhe vonesat që po shkaktohen

“Për Administratën Tatimore të Kosovës, konsideroj edhe për tatimpagues është një hendek shkalla e dytë e ankesave për shkak të vonesave që krijohen prej shkallës së parë e cila është brenda Administratës Tatimore të Kosovës pastaj shkallë e dytë është gjykata themelore-divizioni fiskal. Në raportin vjetor i kemi të dhënat e sakta për të gjitha trajtimet që i ka bërë Departamenti i Ankesave si shkallë  e parë pastaj edhe gjykatat”, tha Imeri.

Administrata Tatimore për të nxitur mbledhjen e kuponëve fiskalë, në dy vjetët e fundit shpërbleu qytetarët që dorëzonin kuponë te ky institucion.

Gjatë muajve të ardhshëm do të ndryshojë mënyra e shpërblimit.