Kuvendi i Kosovës, 11.04.2019

Deputetët vonohen në seancë, Veseli u bën thirrje t'i kryejnë obligimet

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, ka ftuar deputetët që të vijnë në sallë dhe ka njoftuar që do të presin edhe 10 minuta.

Edhe pse kanë kaluar mbi 45 minuta nga koha kur do të duhej të fillonte seanca, në këtë kohë prezent sipas Veselit ishin vetëm 40 deputetë ndërsa për votim të pikave duhet të jenë 61 deputetë në sallë.

“Ne do të presim edhe pak janë 40 deputetë aktualisht në sallë. Kryetarët e grupeve parlamentare është mirë pas 10 minutave të na japin gjendjen”, tha Veseli duke bërë thirrje që të vijnë deputetët në sallë pasi sipas tij kanë obligime.

“Janë mërzitur edhe gazetarët atje lart i përshëndes dhe i falënderoj për korrektësinë”, tha ai.

Sot është paraparë të mbahet vazhdimi i seancave të pa përfunduara me disa pika të rendit të ditës.