Seanca e Kuvendit - Foto: KALLXO.com

Deputetët vazhdojnë debatin me akuza ndaj dështimeve të politikës së jashtme

Deputetët e Kuvendit të Kosovës, që nga ora 15:00 janë duke e vazhduar diskutimin për ngecjet në politikën e jashtme të Kosovës edhe pse në seancë nuk janë prezentë as kryeministri Ramush Haradinaj as zëvendëskryeministri dhe ministri i Punëve të Jashtme Behgjet Pacolli.

Deputetët e opozitës janë duke akuzuar diplomacinë kosovare për ngecjet e saj.

Fatmire Kollçaku, nga Lëvizja Vetëvendosje tha se diplomacia kosovare është e kënaqur me shtrëngimin e duarve nëpër korridore dhe më pas pësojnë humbje.

“Diplomacia jonë është e orientuar duke i nënçmuar të vegjlit e duke vrapuar pas të mëdhenjve nëpër korridore të institucioneve të larta dhe duke u kënaqur me shtrëngime duarsh. Kur pësojnë humbje kërkojnë ta ndajmë së bashku humbjen”, tha Kollçaku duke shtuar se nuk mund ta ndajnë fajin pasi ai nuk është i përbashkët.

Edhe deputeti Korab Sejdiu, nga grupi parlamentar i LDK-së, tha se qëllimi i seancës së sotme ka qenë që gjithë deputetët ta kenë mundësinë të japin kritikat konstruktive.

“Fatkeqësisht me përjashtim të kryeministrit që erdhi në mëngjes shkurtimisht dhe na mbajti ligjëratë, nuk po e shoh këtu askënd që është përgjegjës për punët e jashtme. Kjo më bën të mendoj se a ia vlen të diskutohet, kur ata s’janë këtu”, tha Sejdiu.

Deputeti tha se po flasin për një produkt të cilin përfaqësuesit tentojnë t’ia shpalosin botës, për shtetin e Kosovës.

“Duhet ta analizojmë çfarë produkti po ia prezantojmë botës, si mund të bëhet kjo me një qeveri që bashkëjeton me krimin. Presidenti ka dalë nga binarët, pasi në vend që ta lëvdojë vendin e vet te të tjerët, thotë se ai nuk ka produkt pra ai e cenon shtetësinë  e Kosovës”, tha deputeti.