Pamje nga takimi i Komisionit për Zhvillim Ekonomik - Foto: KALLXO.com

Deputetët Shqyrtojnë Raportin e Performancës së Ndërmarrjeve Publike

Në diskutimin e Raportit të performancës së ndërmarrjeve publike për vitin 2016 deputetët anëtarë të Komisionit për Zhvillim Ekonomik folën për këto ndërmarrje, por më gjatë u diskutua për Telekomin.

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Dardan Sejdiu, tha se Telekomi do të mund të zhvillohet shumë më shumë me kapacitetet aktuale.

“Në këtë diskutim dua një indikator tjetër t’ua them: numri i punëtorëve në Telekomin e Kosovës. Kjo ndërmarrje që po i humb 31 milionë euro në vit, ka 2.274 punëtorë me 76 milionë fitime. A e dini sa punëtorë i ka IPKO me të cilët gjeneron po ato të hyra, që e ka 38% të tregut? 430”, tha ai.

Sipas tij, Telekomi këtë mund ta bëjë përmes investimit në rrjetin e internetit dhe në rrjetin kabllor.

Gjithashtu, Sejdiu deklaroi se ndërmarrjet publike e kanë tregun e garantuar, të hyra të sigurta dhe infrastrukturë ligjore që e tregon në mënyrë të qartë. Ai e kritikoi faktin që po diskutohet raporti i vitit 2016.

“Në fund po përfundojmë në situatën në të cilën duhet t’i trajtojmë humbjet e vitit 2016”, tha ai.

Ndërsa, Shahe Kukaj-Krasniqi, analiste në Njësinë e Monitorimeve të Ndërmarrjeve Publike pranë Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik, e përmendi një nga kontratat e Telekomit si “të dëmshme”.

“Po ashtu është marrëveshja me kompaninë Devolli e cila ka shkaktuar një humbje jashtëzakonisht të madhe”, tha ajo.

Ngjashëm u shpreh edhe deputetja Hykmete Bajrami nga LDK, e cila i tregoi disa nga detajet e kontratës.

“Z Mobile e shfrytëzon komplet infrastrukturën e investimet e Telekomit dhe shet për vete… I merr diku 76% të fitimit dhe përreth 24% ia jep Telekomit. Përndryshe ata do të ishin klientë të Valës 100%… Marrëveshja me Z Mobile është marrëveshja më e dëmshme që ndonjëherë është bërë në Kosovë. Askush nuk ka dhënë përgjegjësi”, u shpreh ajo.

Ndërkaq Mimoza Kusari-Lila nga Alternativa u shpreh se gjendja në ndërmarrjet publike është dëshmuar të jetë shqetësuese.

“Ajo që bie në sy në raportin e ndërmarrjeve publike, që është me të vërtetë brengosëse për fatin e këtyre ndërmarrjeve, është që me një parashikim të thjeshtë financiar ne mund të llogarisim se brenda një periudhe 2 deri në 4 vite nuk do të kemi asnjë ndërmarrje publike profitabile”, tha ajo.
Gjithashtu ajo bëri thirrje që të bëhet një strategji gjithëpërfshirëse për ndërmarrjet publike.

“Nëse nuk ka një strategji të përgjithshme Qeveria e re në menaxhimin ose kthimin në menaxhim të këtyre ndërmarrjeve ne si shoqëri ose si shtet do të dalim të paaftë për të menaxhuar me sektor publik”, tha Kusari-Lila duke iu referuar të gjitha ndërmarrjeve publike me rëndësi bazike.

Ndërsa, deputeti i Nismës Socialdemokrate, Bilall Sherifi e shprehu qasjen e tij pro privatizimit.

“Kjo e jona (duke iu referuar ndërmarrjeve publike) nuk do të ofrojë gjithmonë të ardhura… Le t’i kthehemi asaj që e ofron krejt bota. Dihet çka e kujt është dhe shteti dhe qeveria i mban (publike) të gjitha ato shërbime, siç mbahen gjithkund, në të cilat nuk ka interesim nga ndërmarrësi privat”, tha ai.
Me këtë të fundit u pajtua kryesuesja e Komisionit, Sala Berisha-Shala nga PDK, por nuk u pajtuan edhe Hykmete Bajrami dhe Dardan Sejdiu.

Ndërkaq, Adem Ahmetaj, analist në Njësinë e Monitorimeve të Ndërmarrjeve Publike, tregoi rreth fitimeve të ndërmarrjeve publike.

“Nga 16 ndërmarrje publike 5 e kanë shënuar vitin 2016 me fitim, 10 kompani të tjera kanë operuar me humbje duke e përjashtuar aeroportin e Gjakovës, i cili tani për tani është barrë e Qeverisë”, tha ai.

“Nëse i shohim individualisht 5 kompani i kanë rritur fitimet e tyre: KEK-u, Ujësjellësi i Prishtinës, Hidro-Drini, Radoniqi, dhe Drini i Bardhë”, shpjegoi ai.

3 nga to sipas tij, kanë qenë me humbje por i kanë zvogëluar ato: Posta e Kosovës, Kompania për Menaxhimin e Deponive dhe Mbeturinave dhe Ujësjellësi Rajonal Hidro-Morava.

Ndërsa, ai tregoi se janë 7 kompani të tjera që i kanë rritur fitimet e tyre, siç është Telekomi, Trainkosi, Infrakosi, Ibër-Lepenci, Ujësjellësi i Mitrovicës, Ujësjellësi i Prizrenit dhe Radoniqi.

Gjatë mbledhjes u miratua raporti ndërsa, Dardan Sejdiu kërkoi që raporti 3-mujor i Njësisë së Monitorimeve të paraqitet në këtë afat edhe para Komisionit të Kuvendit për Zhvillim Ekonomik.

Gjithashtu u miratua edhe Projektligji për Pajisjet nën Presion dhe janë formuar disa grupe punuese për shqyrtimin e projektligjeve që do t’i shqyrtojë komisioni.