Deputetët Polemizojnë për Demarkacionin

Mes debatesh e polemikash, anëtarët e Komisionit Parlamentar për Punë të jashtme janë duke shqyrtuar projektligjin për marrëveshjen për demarkacionin e kufirit me Malin e Zi.

Marrëveshja e nënshkruar në gusht të vitit të kaluar është zvarritur të shkojë në kuvend deri më tani për shkak të kundërshtive opozitare dhe të banorëve të vendbanimeve afër kufirit të cilët ankohen se me këtë dokument, Kosova humb mbi 8 mijë hektarë tokë.

Në mbledhjen e sotme të komisionit, kryetari i tij Elmi Reçica (PDK) tha se kjo marrëveshje përveç ndarjes së kufirit “do të fuqizojë edhe më shumë marrëdhëniet e mira me Malin e Zi”.

“Ju e dini që pala malazeze i ka kryer të gjitha procedurat duke e ratifikuar marrëveshjen ndërsa ne ende e kemi në komision për ta dërguar pastaj në Kuvend”, tha Reçica.

Por anëtarja e komisionit nga Vetëvendosje, Puhie Demaku, tha se i vjen keq që qeveria ka vendosur ta procedojë këtë marrëveshje pa raportuar në Kuvend për përmbajtjen e saj sado që, sipas saj, një rezolutë e miratuar nga Kuvendi në qershor të vitit të kaluar e obligon ta bëjë këtë.

Së dyti ajo përmendi një peticion me mbi 200 mijë nënshkrime të qytetarëve kundër marrëveshjes ndërsa si arsye të tretë për kundërshtimin e saj e përmendi tryezën e deputetëve dhe ekspertëve të mbajtur javën e kaluar në të cilën tha se u dëshmua që demarkacioni është bërë në mënyrë të gabuar.

“Ata ekspertë e kanë vlerësuar gjetjet e komisionit si ta pabazuara, andaj mos lejoni të bëhemi bashkëpjesëmarrës në krim”, tha Demaku.

Ndërsa Ismet Beqiri (LDK) i dha mbështetje marrëveshjes.

“A është ky territori që na dëshirojmë ta kemi, ajo është tjetër temë. Unë si anëtar i këtij komisioni e përkrah që ky projektligj t’i shkojë kuvendit për miratim”, tha Beqiri.

Por për Pal Lekajn (AAK), procedimi i marrëveshjes për ratifikim është “i jashtëligjshëm”.

“Unë mendoj që deputetët do të sjellen sipas autonomisë së tyre dhe t’i thojnë “Jo’ kësaj marrëveshje që lë një trashigimi të keqe. T’i themi ‘Jo’ kesaj marrëveshje dhe t’i nisim menjëherë bisedimet për një demarkim të ri konfron ligjeve”, tha Lekaj.