Deputetet Mungojnë në Gjykimin e Kolegëve të VV-së

Flora Brovina e Blerta Deliu-Kodra deputetet e PDK-së që janë palë e dëmtuar në procesin gjyqësor kundër kolegëve të tyre të “Vetëvendosjes” Albin Kurtit, Albulena Haxhiut, Donika Kadaj-Bujupit e Faton Topallit nuk u paraqitën në seancë.

Ato pritej të dëshmonin në procesin gjyqësor kundër deputetëve të VV-së për hedhjen e gazit lotsjellës në Kuvendin e Kosovës.

Në seancë nuk ishte i pranishëm as Albin Kurti, kështu që seanca u shty.

Gjykata vendosi që deputetit të akuzuar Kurti dhe deputeteve që ishin paraparë të dëshmonin t’u dorëzojë ftesa të rregullta për seancën e radhës.

Sipas gjykatës, nëse do të ketë mungesa përsëri ajo do të veprojë në bazë të Kodit të Procedurës Penale për lëshimin e urdhëresës për paraburgim.

Aktakuza ndaj katër deputetëve të Lëvizjes Vetëvendosje u ngrit më 16 dhjetor të vitit të kaluar.

http://kallxo.com/aktakuze-ndaj-kater-deputeteve-te-opozites/

Sipas aktakuzës, katër deputetët akuzohen për përdorim të armës ose mjetit të rrezikshëm dhe pengim të personit zyrtar në kryerje të detyrës zyrtare.

Albin Kurti mungoi edhe në seancën e shkurtit të këtij viti dhe kjo bëri që të dështojë ajo seancë.

http://kallxo.com/deshton-seanca-per-deputetet-e-lotsjellesit/

Seanca që nuk u mbajt sot u caktua më 14 dhjetor.

Pas shtyrjes së seancës, deputetja e “Vetëvendosjes” Albulena Haxhiu këtë gjykim e cilësoi përndjekje të aktivistëve të këtij subjekti.

Ajo bëri thirrje për pushim të hetimeve pasi tha se situata ka ndryshuar me dështimin e ratifikimit të marrëveshjes së demarkacionit me Malin e Zi më 1 shtator në Kuvendin e Kosovës.