Foto: Kallxo.com

Deputetët kontestojnë raportin e AUV për farërat dhe plehrat e importuar

Zyrtarë të Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV) kanë raportuar sot në Komisionin Parlamentar për Bujqësi, Pylltari, Mjedis dhe Planifikim hapësinor në lidhje me kualitetin e farërave dhe plehrave që importohen dhe shiten në Kosovë te bujqit vendorë.

Për të mundësuar diskutimin në lidhje me raportin e AUV, kryesuesi i komisionit, deputeti Muharrem Nitaj (AAK) propozoj që të bëhet “një shkarje nga procedurat”, pasiqë mungonte kuorumi i nevojshëm për të votuar këtë raport.

“Propozoj që për shkak të mungesës së kuorumit të bëjmë një shkarje të procedurave, në mënyrë që AUV të mund të raportojë sot, pasi vet kanë kërkuar të bëjnë një raport të tillë”, tha Nitaj.

Në këtë raport, që nga deputetët e komisionit u cilësua si i mangët, thuhet se kualiteti i farërave dhe plehrave për periudhën janar-tetor të këtij viti ka qenë brenda standardeve të lejuara.

“Gjatë inspektimit të importit të farave dhe plehrave nuk kemi asnjë rast të moskonformitetit me standardet e lejuara”, tha Ismet Fejzullahu, shef inspektoriatit sanitar në AUV.

Fejzullahu përmendi sa gjatë 10 mujorit të këtij viti janë importuar mbi 2 mijë tonë farëra dhe mbi 4 mijë tonë plehra në Kosovë. Megjithatë, deputeti Salih Salihu (PSD) ngriti dyshimet në lidhje me prejardhjen e 10 mijë tonë farëra të cilat do të mbulonin të gjitha nevojat për mbjellje të grurit dhe misrit në Kosovë.

“Rreth 10 mijë tonë farëra nuk dihet se ku prodhohen, ku paketohen dhe kush po e shpërndan, e të cilat mbulojnë nevojat e Kosovës”, tha deputeti Salihu.

E zëshme kundër raportit të inspektorëve të AUV-it ishte edhe deputetja e LDK-së, Besa Gaxherri, e cila ngriti shqetësimet e bujqve për kualitetin e farërave dhe plehrave në Kosovë.

“Raporti është i cekët dhe ka shumë probleme në lidhje me farërat dhe plehrat. Bujqit çdo vit ankohen në lidhje me cilësinë e farërave dhe plehrave”, tha deputetja Gaxherri.

Në fund, deputeti Salih Zyba (VV) njoftoi zyrtarët e AUV se si komision i Kuvendit do të vizitojnë këtë institucion edhe do të monitorojnë punën e tyre, dhe krahasojnë raportin e prezantuar me gjendjen në teren.

“Në të ardhmen ne si komision do të vijmë në AUV dhe monitorojmë rastet të cilat na raportojnë qytetarët”, tha deputeti Zyba.