Foto: Kallxo.com

Deputetët ia ‘ngelin’ raportin KPM-së

Komisioni për Administratë Publike, Qeverisje Lokale dhe Media ka kërkuar që Komisioni i Pavarur për Media, ta rishikojë raportin për vitin 2017 dhe ta plotësojnë atë.

Sipas kryetarit të këtij komisioni Nait Hasani, raporti nga KPM-ja ka nevojë për përmirësime.

“Propozoj që ta rishikojnë raportin dhe të vinë ndonjëherë tjetër me përmirësime, sepse me çu në Kuvend kjo vetëm dështon”, tha ai.

Të gjithë anëtarët e këtij komisioni mbështetën propozimin e Hasanit.

Anëtari i bordit të KPM-së, Xhemajl Krasniqi, tha së njëra ndër pikat më të rëndësishme të punës në KPM është bashkëpunimi regjional dhe ndërregjional.

“Nga ky bashkëpunim që rrjedh me komunikime nga rregullatorë të ndryshëm dhe një çështje që është e rëndësishme për ne është çështja e rregullimit të mediave elektronike që në i quajmë portale”, tha ai.

Ai kërkoi ndihmën e tyre dhe pjesëmarrjen në aktivitete sepse portalet janë ato që duhet të kontrollohen.

Deputeti nga NISMA, Milaim Zeka, tha se portalet janë kanceri i shoqërisë sonë.

Temë tjetër që u diskutua nga KPM-ja është edukimi medial dhe implementimi i procesit të digjitalizimit.

Sipas Xhemajl Krasniqit, edukimi medial është çështje me rëndësi.

E kryesuesi i Komisionit Nait Hasani u kërkoi bordit të KPM-së që të marrin shënime.

“Merrni kapak shënime se ju duhen”, tha ai.

Ndërkaq deputetja e PDK-së Xhevahire Izmaku tha se për implementimin e procesit të digjitalizimit KPM-ja e ka pasur prioritet për katër vite, por nuk prapë nuk kanë bërë asgjë.

“Nuk mundeni me pasë prioritete për katër vite e mos me ba kurgjo”, tha ajo.

Sipas saj, KPM nuk e ka kryer punën si duhet.

“Ju jeni autoritet pa autoritet, mendoj që nuk e keni kry punën siç duhet”, u shpreh ajo .

Deputeti Milaim Zeka tha se Bashkimi Europian këto ditë do të nxjerrë një ligj, ku do të disiplinohen mediat.

“Po ua jap një lajm që BE-ja do ta nxjerrë një ligj këto ditë ku, në një farë forme do disiplinohen mediat. Do krijohet një robot që do nxjerrë çdo gjë që është e kopjuar. Për shkak të shqetësimit të BE-së se po bëhet keqpërdorim nga portalet, këto ditë do hy në fuqi një ligj për disiplinimin e mediave”, tha ai.

Ai gjithashtu tha se auditori është vetëm formalisht sepse nëse do e kishte kryer punën siç duhet, do të ishte pikë referuese për t’i filluar prokuroria hetimet.

Sipas tij, ka piramidë shkeljeje tek dhënia e licensave.

“Është një det me shkelje e korrupsion. Këto licensa i kanë privatisht herë në Prishtinë, herë në Tiranë. Kam fakte për ketë që po e them”, tha Zeka.

E sa i përket punës së portaleve ai i rekomandoi bordit të KPM-së, t’I monitorojnë ato sepse sipas deputetit Zeka , portalet po luajnë me lexuesit.

E deputeti nga Vetëvendosje Adem Mikullovci u dha një vërejtje KPM-së, sa I përket edukimit medial.

Ai tha se është e patolerueshme që asnjë televizion e gazetë nuk kanë një emision edukativ, apo një faqe të gazetës ku flitet për diçka edukative.

“Duhet të bëhen xhirime për fëmijë, drama, emisione argëtuese në gjuhën shqipe e jo jo gjuhën angleze”, tha Mikullovci.

“Me mujt e çeli dritaren e bërtas për këtë çështje”, shtoi tutje ai.

E për procesin e digjitalizimit të mediave Mikullovci tha se duhet të ndërrohen të gjitha.
“Shtrejt a lirë duhet me u ndrru”, u shpreh ai.

E kryetari i komisionit Nait Hasani tha se për këtë punë është diskutuar që disa vite.

“Aiiii, qe sa vjet jemi tu ba llaf”, tha ai

Sipas tij, vetëm pesë operatorë kanë licensim dhe 50 kanale janë ilegale.

Ai kërkoi nga KPM-ja që të ndërmarrë diçka për këtë çështje.

Hasani akuzoi KPM-në se dënimet që i kanë bërë ata gjatë kohës së zgjedhjeve në disa medium I kanë bërë me qëllim që  t’I dëmtojë ata.

“Ju keni ba dënime veç në zgjedhje për me na dëmtu neve. Asnjë veprim tjetër nuk është marrë nga ju “, tha ai.

Sipas tij, bordi I KPM-së ka dërguar njerëz për ta kërkuar votën e komisionit.

Por Xhemajl Krasniqi nga bordi I KPM-së tha se ai ka qenë lobim.

Milam Zeka kërkoi që të rikthehet raporti sepse, sipas tij, është i mangët.

Sipas tij në raport duhet të futen edhe sa portale funksionojnë në Kosovë, sa janë të regjistruara e sa ta paregjistruara.

“Janë  disa portale inekzistente që funksionojnë me para publike. Kjo është shkelje ligjore, nëse një portal merr sponsorizim prej KEK-ut, PTK-së e që nuk është i regjistruar në KPM”, përfundoi Zeka.