Deputetët e Vetëvendosjes në vizitë ne NPB Foto: Lëvizja Vetëvendosje

Deputetët e VV akuzojnë Komunën e Prishtinës për shkelje ligjore

Disa deputetë të Lëvizjes Vetëvendosje e kanë vizituar Ndërmarrjen Publike Banesore e cila është bërë mollë sherri që disa kohë ndërmjet Vetëvendosjes dhe PSD-së.

Liburn Aliu, Xhelal Sveçla, Albulena Haxhiu, Salih Zyba dhe Fitore Pacolli kanë qenë sot mysafirë të Nexhat Kryeziut që po vazhdon të qëndroj në krye të ndërmarrjes.

Qendra e Lëvizjes Vetëvendosje në Prishtinë ka njoftuar për këtë takim, ku në mes tjerash përmend sipas tyre edhe ndërhyrjet e Kryetarit Shpend Ahmeti në këtë ndërmarrje.

“U njoftuan me situatën në këtë ndërmarrje, projektet dhe sukseset financiare, sfidat mbi të cilat po kalon, por edhe pengesat të cilat ekzekutivi i Komunës së Prishtinës po i vë, duke ndërhyrë kësisoj pa të drejtë dhe paligjshëm në pavarësinë e ndërmarrjes”, thuhet në komunikatën e degës së Vetëvendosjes në Prishtinë.

“Tentimi për emërimin e bordit dhe kryeshefit të ri ekzekutiv nga vetëm dy aksionarë pa e njoftuar fare të tretin, shkarkimi i njërit prej tyre nga ana e Kuvendit Komunal dhe vet vendimet e MZHE-se tregojnë për ndërhyrje flagrante me shkelje ligjore në punën e ndërmarrjes”, thuhet tutje në këtë komunikatë.

KALLXO.com ma herët raportoi se Komuna e Prishtinës ka dorëzuar kërkesë në Policinë e Kosovës që të mundësoj hyrjen në objektin e NPB-së Hajdar Hoxhës, i cili është emëruar si ushtrues detyre i kryeshefit në këtë ndërmarrje, pasi që i njëjti nuk po lejohet të hyjë në objekt.

https://kallxo.com/komuna-e-shpend-ahmetit-kerkon-ndihmen-e-policise-per-karrigen-e-npb-se/