Deputetët e quajnë ‘qesharake’ sjelljen e qeverisë Haradinaj karshi pyetjeve parlamentare

Deputetët e Kuvendit të Kosovës janë shprehur të pakënaqur me ‘injorimin’ që kryeministri i Kosovës dhe kabineti qeveritar po ua bëjnë pyetjeve parlamentare.

Në seancën e sotme të Kuvendit, asnjë nga ministrat e qeverisë Haradianj, madje as kryeministri nuk ishin të pranishëm nën arsyetimin se janë në akademinë përkujtimore për veprimtarin Ukshin Hoti.

Ndërsa në rend të ditës ishin gjithsej 42 pyetje parlamentare të cilat munguan edhe vet deputetët si dhe ministrat.

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Xhelal Sveçla ka kritikuar praktikën që po ndiqet nga kabineti qeveritar si dhe nga vet kryeministri Ramush Haradinja ku shumë pyetje parlamentare nuk po marrin përgjigje.

“Unë nuk do ta lexoj pyetjen, por me ju thanë të drejtën edhe mënyra sesi po veprohet në raste të pyetjeve parlamentare ka sjellë një situatë qesharake për Kuvendin si dhe për temat që kemi mi diskutu. Këtë pyetje unë e kamë bërë më 28 janar dhe ende nuk kam marrë përgjigje”, tha ai

Edhe deputeti i pavarur, Korab Sejdiu, përsëriti një pyetje për të cilën që nga 28 janari nuk ka marrë përgjigje nga ministri i shëndetësisë Uran Ismaili.

“Ligji për kontrollin e duhanit që ka hy në fuqi më 22 maj 2013 ndalon pirjen e duhanit në hapësira publike. Kjo ndalesë ligjore nuk zbatohet askund përfshirë është Kuvendin e Kosovës , kështu që pyetja ime është se çfarë hapa do të merrni për zbatimin e ligjit me shpresë që nuk do të arsyetoheni se nuk keni inspektor të mjaftueshëm”, pyeti Sejdiu.

Deputeti Sejdiu përsëriti një pyetje për të cilën nuk ka marrë përgjigje që nga 5 shkurti, pyetja në fjalë ishte e drejtuar për ministrin e Infrastrukturës, Pal Lekajn.

Me propozimin e deputetit të LDK-së, Fidan Rekaliut, deputetët e tjerë vendosën që të mos lexonin e rilexonin pyetjet parlamentare në mungesë të kabinetit qeveritar.

Nënkryetarja e Kuvendit të Kosovës, Myfera Shinik, tha që pyetjet do të publikohen në revistën e Kuvendit.

“Pyetjet e deputetëve që nuk marrin përgjigje në dy seanca plenare do të publikohen në revistën e Kuvendit dhe në faqen zyrtare elektronike të Kuvendit”, tha ajo.