Deputetët e Prizrenit i testojnë laptopët luksozë

Asamblistët e Kuvendit Komunal të Prizrenit në mbledhjen e gjashtë me radhë janë pajisur me laptopë.

Komuna e Prizrenit këtë tender e ka hapur me 19 prill për nevoja të komunës dhe sipas njoftimit për kontratë, çmimi i kontratës pritej të jetë deri në 30 mijë euro.

Por, dhjetë ditë ë pas Komuna kishte nënshkruar kontratë me kompaninë “ IT Market” Shpk nga Prizreni dhe kjo kontratë i ka kushtuar buxhetit të komunës afro 26 mijë euro apo 25 mijë e 939 euro e 80 centë (njëzet e pesë mijë e nëntëqind e tridhjetë e nëntë euro e tetëdhjetë cent).

Sipas njoftimit për kontratë, Komuna ka kërkuar laptopë të gjeneratës së fundit Intel Core i5 me minimum 8GB, 256 GB SSD dhe me madhësi 14-inch.

Dhe po ashtu, Komuna e Prizrenit për këto pajisje ka kërkuar autorizim direkt nga prodhuesi se pajisja është origjinale, e re, e papërdorur dhe garancion 1 vjeçar.

Sipas drejtorit të administratës në Prizren, asamblistët në momentin kur kanë pranuar laptopët kanë nënshkruar një deklaratë, me të cilën obligohen të kthejnë pajisjet në përfundim të mandatit.

Gazeta Jeta ne Kosovë në muajin shkurt kishte publikuar hulumtimin ku asamblistët e Kuvendit Komunal të Prizrenit nuk i kanë kthyer laptopët që i kanë marrë në shfrytëzim në mandatin e kaluar.

Ndërsa, pas publikimit të hulumtimit, në muajin prill udhëheqësi i Zyrës Ligjore të Komunës së Prizrenit, Arben Krasniqi, ka dorëzuar kallëzim penal ndaj ish-drejtorit të Administratës Publike, Ilir Baldedajt për zhdukjen e tre laptopëve.

kallëzimin penal të dorëzuar në Prokurorinë e Prizrenit, Krasniqi pretendon se aktualisht asamblisti nga radhët e AAK-së (dhe këshilltar politik i Koordinatorit  Nacional  për Reformën Shtetërore, Besnik Tahirit), ka keqpërdorur pozitën e tij si drejtor, me qëllim që të përfitojë dobi pasurore për vete apo për personin tjetër.

Në kallëzimin penal thuhet se në periudhën në vitin  2015 në Prizren, i dyshuari Ilir Baldedaj në cilësinë e personit zyrtar – drejtorit të Administratës në Komunën e Prizrenit në qeverisjen e Ramadan Mujës, kishte nënshkruar kontrata për blerjen e 43 laptopëve, ku 40 prej tyre u janë shpërndarë kuvendarëve e për 3 të tjerë nuk dihet se kujt i janë ndarë.