Deputetët e Opozitës Dërgohen në Gjykatë

Deputetët e opozitës që u arrestuan dje, janë dërguar në Pallatin e Drejtësisë.

Edhe Pal Lekaj, deputeti i AAK-së u soll në gjykatë.

12:09

Naim Rudari, avokati i deputetes së “Vetëvendosjes” Besa Baftiu tha se klientja e tij gjatë marrjes në pyetje nga prokurori është mbrojtur në heshtje.

Policia i ka shoqëruar deputetët deri në gjykatë ku pritet t’u caktohet masa e sigurisë.

Faton Topallit që shkeli masën e arrestit shtëpiak duke u paraqitur në seancën e djeshme të Kuvendit i është caktuar paraburgimi.

Lajmin për KALLXO.com e bëri të ditur Alban Ajvazi, avokati i Topallit.

Avazi paralajmëroi se do të bëjë ankesë ndaj vendimit të Gjykatës Themelore në Prishtinë.

Arresti shtëpiak me paraburgim i është ndërruar edhe deputetit Ismajl Kurteshi që gjithashtu theu masën e arrestit shtëpiak duke mbajtur fjalim në tubimin e “Vetëvendosjes” të zhvilluar të shtunën në Gjilan dhe duke tentuar të marrë pjesë në seancën e Kuvendit.

Lajmin për paraburgimin e Kurteshit e konfirmoi avokatja e tij Teuta Zhinipotoku.

Edhe Zhinipotoku paralajmëroi ankesë ndaj këtij vendimi.