Foto: LDK

Deputetët e LDK-së kundër qëndrimeve të Lutfi Hazirit dhe presidentit Hashim Thaçi për Luginën e Preshevës

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi përmes një konference për media, deklaroi se kërkon respektimin e referendumit të vitit 1992 për bashkimin e Luginës së Preshevës me Kosovën, e për këtë çështje gjeti mbështetjen e kryetarit të Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri.

Deputetë nga Lidhja Demokratike e Kosovës deklarojnë se qëndrimet e Hazirit rreth kësaj çështjeje janë plotësisht personale dhe s’kanë të bëjnë aspak me qëndrimet zyrtare të LDK-së.

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Driton Selmanaj i quan aventura të rrezikshme deklaratat e presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi rreth korrigjimit të kufijve dhe bashkimit të Kosovës me Luginën e Preshevës.

Selmanaj tha për KALLXO.com se LDK-ja është kundër mënyrës aktuale të bisedimeve dhe kundër presidentit e qeverisë të cilat sipas tij, kanë mungesë legjitimiteti dhe se hapja e kësaj teme nuk ka përfundim pozitiv për Kosovën.

“Kosova e ka shpallë pavarësinë me kufijtë të cilët ekzistojnë sot. Dhe çdo tendencë për të hapur këtë temë unë mendoj që është hyrje në aventura të rrezikshme me pasoja të paparashikueshme për vendin. Andaj ne si LDK kemi dhënë qëndrimin tonë që jemi kundër që kjo formë e bisedimeve të vazhdojë, jemi kundër për shkak të shumë arsyeve dhe legjitimitetit të cilit nuk e ka qoftë qeveria, qoftë presidenti për të udhëhequr këtë proces. Kosova ka kufijtë e saj dhe duhet të konsolidojë nënshtetësinë e saj në kufijtë që ka. Hapja e kësaj tematike më tepër del si hapja e kutisë së Pandorës, e cila më pas nuk dihet se si do të përfundojë, por në dëm të Kosovës do të jetë gjithsesi. Nuk mendoj dhe nuk e besoj se zgjidhja aktuale e raportit tonë me Serbinë është përmes rishikimit të kufijve”, deklaroi ai.

Ndërkaq, sa i përket deklaratës së kryetarit të Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri i cili njëherësh është edhe anëtar i kryesisë së LDK-së, Selmanaj tha se qëndrimet e Hazirit rreth kësaj çështje janë vetëm personale.

“Unë do flas për qëndrimet zyrtare të LDK-së, atë çka na është kumtuar edhe neve si grup parlamentar. Po flas vetëm në këtë cilësi, për çdo mendim tjetër nuk kam koment sepse mendimet individuale rreth ideve të tilla mendoj që duhet të trajtohen si të tilla, por jo si qëndrime zyrtare të partisë. LDK-ja është kundër kësaj forme të bisedimeve, është kundër grupit negociator, kërkon zgjedhje, kemi konstatuar që ka krizë politike, si dhe ideja për shkëmbime territoresh na kthen shumë mbrapa dhe e dyta kjo është aventurë e cila është e paparashikueshme”, përfundoi ai për KALLXO.com.

Anton Quni, deputet i LDK-së deklaroi se ndanë qëndrimet e njëjta me ato të partisë, ndërsa, sa i përket, Lutfi Hazirit i cili mbështetë presidentin në këtë aspekt, ai thekson se kryesia e LDK-së është e njoftuar me qëndrimet e tij dhe se i konsideron si personale.

“Qëndrimi im është si qëndrimi i Lidhjes Demokratike të Kosovës, atë qëndrim mund ta gjeni në komunikatën e LDK-së.  Edhe Lutfi Haziri, por edhe kryesia e LDK-së janë të pajtimit se është qëndrimi i tij personal”, tha Quni për KALLXO.com.

Deputeti Lumir Abdixhiku, thotë për KALLXO.com se është kundër këtyre deklaratave të presidentit dhe se këto veprime godasin Republikën e Kosovës, prandaj edhe do t’i duhet të japë përgjegjësi.

“Qëndrimet e mia janë në vijë të plotë me qëndrimet e LDK-së. Integriteti territorial, karakteri unitar dhe fryma kushtetuese e tanishme janë të padiskutueshme për Kosovës. Qëndrimet e Hashim Thaçit janë aventura të rrezikshme politike që godasin drejtpërdrejtë themelet e Republikës sonë. Veprimet në këtë drejtim përbëjnë shkelje të rëndë kushtetuese, për çka i njëjti do të mbahet përgjegjës”, deklaroi Abdixhiku.

Ai nuk e komentoi deklaratën e bashkëpartiakët të tij, Lutfi Haziri, i cili gjatë një interviste ka deklaruar se është duke e mbështetur këtë nismë të presidentit të vendit.