Deputetët e LDK-së e VV-së kërkojnë seancë të jashtëzakonshme për grevën e mjekëve

Deputetët e Kuvendit të Kosovës, Fatmire Mulhaxha Kollçaku nga Lëvizja Vetëvendosje dhe Naser Rugova nga Lidhja Demokratike e Kosovës përmes një konference për media kanë shprehur shqetësimin e tyre për gjendjen në sektorin e shëndetësisë, me theks të veçantë grevën e punëtorëve shëndetësorë.

Në këtë konferencë për media, deputeti Naser Rugova ka treguar për angazhimet e tyre me rastin e  grevës së përgjithshme të organizuar nga Federata Sindikale e Shëndetësisë e Kosovës.

“Gjatë vizitës sonë në këshillin grevist ka qenë kërkesë eksplicite që ne deputetet të bëjmë çfarë është e mundur që të votohet Ligji për pagat dhe të bëhet presioni i nevojshëm te partnerët e koalicionit qeverisës që kjo procedurë të kryhet dhe greva të ndërpritet”, tha Rugova.

Rugova tutje ka treguar se me kolegët tjerë nga opozita kanë vizituar edhe këshillin grevist që përfshinë më tepër se nëntë klinika të fushës së kirurgjisë dhe të tjera, të cilat janë në grevë më tepër se nëntë ditë.

“Duke parë  situatën, ndjeshmërinë, që punëtorët e sistemit shëndetësor e në veçanti ata të nivelit terciar, me mosofrimin e shërbimeve të nevojshme shëndetësore rrezikohet jeta e pacientit e cila është më e shenjta”, ka thënë Rugova.

Ai po ashtu ka bërë apel te partnerët e koalicionit qeverisës, nga kryeministri, ministri i Financave dhe ministri i Shëndetësisë, i cili  sipas Rugovës në shkurt të këtij viti u kishte premtuar mjekëve të Kirurgjisë se në qoftë se nuk ju rritet paga deri me 1 korrik  edhe ai së bashku me ta do të futet në grevë.

Rugova po ashtu ka treguar se kanë filluar të ndërmarrin hapa që të thërrasin një seancë të jashtëzakonshme për këtë çështje.

“Së bashku me kolegët nga komisioni parlamentar nga VV dhe në koordinim me shefat e grupeve parlamentare, vetëm se kemi ndërmarrë hapat e parë procedural që për këtë çështje të thërrasim një seancë të jashtëzakonshme në mënyrë që të bëjmë presionin e nevojshëm që kërkesat të përmbushen dhe greva të ndërpritet”, u shpreh Rugova.

Ndërsa deputetja Fatmire Mulhaxha Kollçaku nga Lëvizja Vetëvendosje ka thënë se kur mantelbardhët janë në grevë, kjo duhet të jetë shqetësim edhe për krejt shoqërinë sepse sipas saj dihet se në fund vuajnë pacientët.

“Ne si deputetë jemi zotuar që do të punojmë nëse është nevoja 24 orë çdo ditë që Projektligji për pagat të miratohet. Ftoj Qeverinë që të dalë para qytetarëve dhe të tregojë se ku do ta sigurojë buxhetin për realizimin e këtij Projektligji”, u shpreh ajo.

Kollçaku shtoi se janë të interesuar që greva të ndërpritet por duke iu plotësuar kërkesa e arsyeshme të gjithë profesionistëve shëndetësorë, të cilëve po u fyhet inteligjenca dhe janë të nënçmuar.

KALLXO.com ka raportuar gjatë ditës për grevën e mjekëve.

https://kallxo.com/mjeket-paralajmerojne-masa-radikale-nder-to-edhe-mosdhenien-e-sherbimit-ne-urgjence/

www.kallxo.com