Takimi i Presidentit Hashim Thaçi me sekretarin Michael Pompeo

Departamenti Amerikan i Shtetit flet për takimin Pompeo- Thaçi

Zëdhënësja e Departamentit Amerikan të Shtetit, Heather Nauert, tha se në takimin e së hënës mes Sekretarit Amerikan të Shtetit, Mike Pompeo dhe Presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, këtij të fundit i është riafirmuar “mbështetja e palëkundur” për një Kosovë sovrane, të pavarur dhe plotësisht të integruar në komunitetin ndërkombëtar.

Zëdhënësja tha se Sekretari e përgëzoi Thaçin dhe gjithë qytetarët e Kosovës për hapat e mëdhenj që kanë bërë gjatë një dekade që nga shpallja e pavarësisë dhe diskutuan për rëndësinë e mishërimit të sundimit të ligjit dhe rritjen e ekonomisë për të siguruar të ardhme të suksesshme për Kosovën.

Nauert tha se në takim është biseduar edhe për dialogun me Serbinë dhe zhvillimet e fundit rreth vendosjes së taksës doganore ndaj produkteve të Serbisë dhe Bosnjës nga ana e qeverisë së Kosovës.

“Sekretari e inkurajoi Kosovën që ta kapë dritaren unike të mundësisë për të arritur një marrëveshje gjithëpërfshirëse historike për normalizim me Serbinë nën dialogun e lehtësuar nga BE. Ai kërkoi nga autoritetet e Kosovës që ta shfuqizojnë tarifën e vendosur ndaj importeve nga Serbia e Bosnja dhe Hercegovina dhe të punojnë me Serbinë për t’i mënjanuar provokimet dhe për ta shtensionuar situatën. Normalizimi i marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë është mënyra e vetme për ta qartësuar rrugën për të dy vendet në komunitetin perëndimor të shteteve në të ardhmen. Shtetet e Bashkuara janë të gatshme t’i ndihmojnë dhe mbështesin palët për ta arritur një zgjidhje e cila është e qëndrueshme, e implementueshme dhe që e rrit stabilitetin”, tha zëdhënësja e Departamentit Amerikan të Shtetit, Heather Nauert.