Ish-drejtuesit e Ushtrisë Jugosllave, Nebojsha Pavkoviq, majtas, dhe Vladimir Lazareviq, të dy të dënuar nga Gjykata e Hagës. Foto: BETA.

I Dënuari për Krime Lufte në Kosovë, Pedagog në Akademinë Ushtarake Serbe

Ministri i mbrojtjes i Serbisë tha se ish-oficeri i Ushtrisë Jugosllave Vladimir Lazareviç, i cili kreu dënimin për krime lufte në Kosovës dhe tani do të japë mësim në Akademinë Ushtarake, duhet të jetë “një model” për t’u ndjekur.

Vladimir Lazareviç, ish-komandanti i Korpusit të Prishtinës të Ushtrisë Jugosllave, i cili kreu dy të tretat e dënimit me 14 vite burg për krime lufte gjatë konfliktit në Kosovë, do të jetë pedagog në Akademinë Ushtarake, tha ministri serb i mbrojtjes Aleksandar Vulin për gazetën Vecernje Novosti të mërkurën.

“Hartuam një rregull për t’i hapur vend në Akademinë Ushtarake komandantëve më të shquar nga luftërat e kaluara. Kjo është një pikë kthese e madhe dhe një mënyrë për të korrigjuar padrejtësinë që është bërë ndaj tyre në vitet e fundit,” tha Vulin.

Ai shtoi se Serbia po e privonte veten nga “përvoja më e çmuar” duke hequr dorë nga komandantët nga luftërat jugosllave.

“Modelet e rolit të kadetëve duhet të jenë gjeneralë serbë, sidomos ata që e kanë treguar veten e tyre në kohët më të vështira,” tha ai.

Lazareviç u lirua në vitin 2015 dhe u prit si hero nga autoritetet serbe kur u kthye në vend pasi kreu dënimin e tij.

Së fundmi ai doli në titujt kryesorë të gazetave kur mori pjesë në një tubim të ish-ushtarëve të Batalionit të Tretë të Ushtrisë Jugosllave së bashku me një tjetër kriminel të dënuar lufte, Nikola Sainoviç, dhe u lavdërua nga ministri Vulin.

Vulin tha në fjalimin e tij në event se Serbia nuk do të turpërohet më nga ata që “e mbrojtën” atë dhe se ka ardhur koha që në vend të kësaj, “të jemi krenarë” për ta.

Komentet e tij u kritikuan nga ambasadori i Shteteve të Bashkuara në Beograd, Kyle Scott, i cili më pas u sulmua nga shtypi serb.

Lista e re e pedagogëve të Akademisë Ushtarake do të përfshijë edhe gjeneralin Bozidar Deliç, komandant i Brigadës së Motorizuar 549 të Ushtrisë Jugosllave, i cili dyshohet të ketë qenë përgjegjës për sulmet në tetë fshatra kosovare në vitin 1999 ku mbetën 885 të vrarë, sipas OJQ-së Qendra për të Drejtën Humanitare në Beograd.

Deliç s’është ndjekur kurrë penalisht për përfshirjen e tij në luftë.

Një tjetër pedagog do të jetë shefi aktual i shtabit të ushtrisë, Ljubisa Dikoviç, i cili drejtoi Brigadën 37-të të Ushtrisë Jugosllave gjatë luftës në Kosovë.

Një dokumentar i publikuar nga Qendra për të Drejtën Humanitare më herët këtë vit hodhi dyshimet se rreth 1,400 civilë u vranë në vitin 1999 në një zonë të Kosovës e cila ishte nën kontrollin e brigadës së Dikoviçit.

Dikoviçi gjithashtu nuk është hetuar kurrë për akuzat se u kryen krime lufte dhe në vitin 2016 ai fitoi kompensimin nga Qendra për të Drejtën Humanitare pasi kjo e fundit e akuzoi atë për përfshirje në krime lufte në Kosovë dhe Bosnjë.

Vendimi për ta emëruar Lazareviçin si pedagog u dënua nga Partia Liberale Demokratike e opozitës, e cila e quajti këtë një “skandal”.

“Ministri i Mbrojtjes Aleksandar Vulin është një promovues dhe mbrojtës i kriminelëve të luftës, një njeri që i mbështet dhe përgëzon ata dhe në këtë mënyrë ai mohon të drejtën e qytetarëve për të dëgjuar të vërtetën e plotë rreth luftërave,” tha partia në një deklaratë për shtyp.

Por Vulin tha për Vecernje Novosti se gjeneralë si Lazareviçi, Dikoviçi dhe Deliçi kanë “shumë për t’u mësuar” kolegëve të tyre të rinj.