Dënohet Zyrtari i Qeverisë së Kosovës

Zyrtari i Qeverisë së Kosovës, Zahir Bajrami, është shpallur fajtor dhe është dënuar me 1 vit e gjysmë burg, ndërsa djali i tij Adriani me 10 mijë euro gjobë me kusht, dhe 1 vit burg me kusht për dy vjet verifikimi.

Zahir Bajrami akuzohet për keqpërdorim të detyrës zyrtare, ndërsa djali i tij, Adriani, për mashtrim.

Gjykata refuzoi kërkesën e prokurorisë që atij t’i ndalohet ushtrimi i profesionit.

Sipas aktakuzës, Zahir Bajrami përmes djalit të tij Adrian Bajramit më 9 shkurt të vitit 2017 i kishte marrë 10,000 euro të dëmtuarit Elsadat Musliji, duke i premtuar në këmbim ndikimin në Gjykatën e Apelit që Muslijit t’i hiqet dënimi me burgim.

Në aktakuzë thuhet se Adrian Bajrami në fillim ia mori Muslijit 10 mijë euro dhe pastaj ia kërkoi edhe 10 mijë euro tjera për dënimin prej tre vjetësh burgim që i ishte shqiptuar nga gjykata.

Se i dha 10 mijë euro dhe iu kërkuan edhe 10 mijë euro tjera në gjykatë tregoi edhe Elsadat Musliji.

Kur kishte dëshmuar, Musliji ishte pyetur në lidhje me “një njeri të madh” që të akuzuarit ia kishin përmendur se do të ndikonte në lëndën e tij.

Musliji tha se bëhej fjalë jo për një, po për dy persona.

“Baci Zahir (Bajrami) më ka përmendur Enver Hasanin, ndërsa djali i tij më ka thënë se ka qenë Nait Hasani”, tha dëshmitari dhe i dëmtuari Musliji.

Në dëshminë e tij, Enver Hasani kishte mohuar se është “njeriu i madh“.

Më tutje Musliji kishte treguar për takimin e parë që e kishte me Zahir Bajramin në vitin 2012.

“Pas qëndrimit tim 4 muaj e gjysmë në paraburgim pasi që lirohem dhe kthehem në shtëpi, shkova tek zotëriu dhe aty filluam bisedën, ku unë e njoftova që kam qenë katër muaj në paraburgim ai më tha se sikur ta kisha ditë as katër ditë s’kishe nejtë”, kishte dëshmuar Musliji.

Dëshmitari kishte treguar se pas këtyre fjalëve diskutuan për marrëveshjen, ndërsa sipas Muslijit zyrtari qeveritar Bajrami i premtoi se do ta kontaktonte dikë dhe pas një jave do t’i kthente përgjigje.

Marrëveshja parashikonte që Musliji t’i jepte 10 mijë euro dhe për këtë shumë mjetesh pastaj të lirohej prej dënimit nga Gjykata e Apelit.

Musliji rrëfeu se 10 mijë eurot sipas marrëveshjes ia dha Adrian Bajramit në Restorantin “Evropa ‘92”.

Pastaj, sipas Muslijit, Gjykata e Apelit më 6 qershor 2013 nuk e liroi nga akuzat, por rastin e ktheu në rigjykim.

Për këtë zhvillim Musliji tregoi se e njoftoi zyrtarin e akuzuar Bajrami.

“Unë kam pas seancë dhe nuk doli siç më tha ai dhe kur u takuam më tha se e kemi krye dhe e kemi kthy ne rigjykim, ndërsa unë i thashë se pse qe një muaj e gjysmë nuk e ke ditur, ndërsa ai më tha se këto punë nuk shkojnë kështu, por ngadalë”, tha Musliji.

Dëshmitari më tutje tregoi se i lindën dyshimet se tash të akuzuarit nuk do të ndikojnë në lirimin e tij pavarësisht se i kishin marrë paratë, prandaj Adrian Bajramit bëri të ditur se i kishte thënë që Gjykata e Apelit vetëm ia ka zvogëluar dënimin për një vit, duke e dënuar me dy vjet burg, edhe pse seancat e rigjykimit nuk kishin nisur.

Musliu tha se e ndërmori këtë veprim vetëm për të mësuar nëse tash të akuzuarit kishin informata për procesin që po zhvillohej ndaj tij.

Musliji tregoi edhe për një takim tjetër me Adrian Bajramin.

“Pas një jave u takuam me djalin e tij në restorant “Kruja” në fshatin Dardani të Ferizajt dhe aty Ardiani më thotë se e ka selamin prej babës dhe të madhit se duhen edhe 10 mijë euro të tjera”, tha Musliji.

Dëshmitari tha se pas kësaj kishte kërkuar që t’i ktheheshin 10 mijë eurot që i kishte dhënë, ndërsa Adrian Bajrami i kishte thënë se kjo nuk vjen në shprehje.

“Në parking më ka ndalur dhe më ka thanë se nuk guxoj me i tregu askujt sepse ‘shteti është i joni prej Dheut të Bardhë deri në Merdar”, tha Musliu.

Musliu pastaj bëri të ditur se nuk i mbeti rrugë tjetër dhe njoftoi policinë.

Sipas Muslijit në koordinimin me policinë, ai u takua në restorant “Gizi” në Veternik me Adrian Bajramin, i cili aty edhe u arrestua.

Musliji deklaroi në gjykatë se Zahir Bajrami kishte dijeni për 10 mijë eurot e para, por tregoi se personalisht beson se 10 mijë eurot tjera Adrian Bajrami i kishte kërkuar pa dijeninë e babait të tij.

Zahir e Adrian Bajrami, babë e bir u arrestuan në shkurt të këtij viti.

Ata në qershor mohuan akuzat me të cilat ngarkohen.