Dënohet për kanosje se i tha partneres “do të masakroj”

Një burrë me inicialet E.K është dënuar me 6 muaj burgim për kanosje. Ky dënim mund të shndërrohet edhe në gjobë, me pëlqimin e të dënuarit.

E.K i cili gjendet në paraburgim kishte qenë i akuzuar për dhunë në familje dhe kanosje ndaj të dëmtuarës L.N.

Megjithatë,  prokurori Muharrem Bajraktari u  tërhoq nga vepra dhunë në familje.

Sipas prokurorit, në veprimet e të akuzuarit E.K janë përmbushur vetëm elementet e veprës së kanosjes.

“Hiqet dispozitivi i parë i aktakuzës për dhunë në familje, pasi qe nuk janë përmbushur elementet e kësaj vepre por vetëm elementet e veprës se përshkruar në dispozitivin numër dy”, ishte arsyetimi i prokurorit Bajraktari.

Pas ricilësimit të veprës, i akuzuari pranoi fajësinë për veprën penale të kanosjes.

Prokuroria Themelore në Peje, ndaj të akuzuarit kishte ngritur aktakuzë pas zhvillimit të hetimeve, për dhunë në familje dhe kanosje.

Sipas aktakuzës, E.K të dëmtuarës L.N me te cilën ka qenë në bashkësi jashtëmartesore, i është drejtuar me fjalët ” posa të takoj do të masakroj”.