Dënohet me dy vjet burg Nikolla Gruevski

Ish-kryeministri i Maqedonisë, Nikola Gruevski, u dënua me dy vite burg, ndërsa Gjoko Popovski me 6 vite e gjysmë.

Nikolla Gruevski, Gordana Jankulloska dhe Gjoko Popovski në këtë lëndë janë të akuzuar për blerje të paligjshme të makinës “Mercedes” për siç kanë thënë, nevojat e Ministrisë së Punëve të Brendshme.

Por për Jankullovskën procedura është e ndarë për shkak të shtatzënisë së rrezikshme.

Në leximin e aktgjykimit gjykatësja lexoi të gjitha dëshmitë të cilat janë thënë gjatë gjykimit nga Prokuroria Publike Speciale dhe nga pala mbrojtëse.

Gjykatësja tha se të akuzuarit së pari kanë zgjedhur makinën dhe kanë bërë porosinë e saj, ndërsa më pas edhe është shpallur tenderi nga MPB.

E akuzuara Gordana Jankulloska në këtë lëndë është gjykuar me procedurë të veçantë për shkak të shtatzënisë së rrezikshme, ndërsa vendimi për të do të merret në seancë tjetër.

Kurse i akuzuari Gjoko Popovski edhe gjatë ditës së djeshme nga Gjykata Penale u dënua me nëntë vite burg në lëndën “Treqind”, e cila ka të bëjë po ashtu me blerjen e 300 makinave për nevojat e Ministrisë së Punëve të Brendshme.