Gjykimi për krim të organizuar - Foto: KALLXO.com

Dënohet me 250 euro avokati për mosardhje me kohë në seancë

Seanca gjyqësore në rastin e të akuzuarve për krim të organizuar, për çka ngarkohen tre zyrtarë doganorë të pikës kufitare në Jarinjë dhe 39 persona të tjerë, shumica prej të cilëve biznesmenë, ka filluar rreth një orë e gjysmë më vonesë.

Kjo për shkak të vonesës së avokatit Zyhdi Axhemi.

Pasi erdh në sallë, avokati Axhemi shprehu keqardhje për vonesën duke arsyetuar se e kishte shkruar gabimisht datën e seancës së sotme në agjendën e tij. Po ashtu, ai tha se kishte pasur një seancë tjetër në Gjykatën e Apelit.

Trupi gjykues me kryetar Burim Ademi dhe anëtarë Avni Mehmeti e Sinisha Mandushiq, avokatit Zyhdi Axhemi i kanë shqiptuar gjobë në lartësi prej 250 euro, për shkak të zvarritjes së procedurës dhe mospërgjigjes në ftesën e Gjykatës me kohë.

Tutje seanca ka vazhduar me leximin e akuzës, e cila për shkak të volumitetit dhe në mënyre që të ekonomizohet procedura u konstatua si e lexuar më pëlqimin e të gjitha palëve.

Ndërsa lidhur me deklarimin rreth fajësisë të gjithë të pandehurit tjerë kanë qëndruar pas asaj se çfarë kishin thënë në seancën e shqyrtimit fillestar, se nuk ndiheshin fajtor.

Me përjashtim të të pandehurit Xhemajl Islami, i cili sipas kësaj aktakuze ngarkohet me veprën penale mbajtja në pronësi kontroll dhe posedim i paautorizuar i armëve, ky i fundit ka dashur të deklarohet dhe ka pranuar fajësinë për këtë vepër.

Pas marrjes edhe të mendimit nga ana e prokurorit të Prokurorisë Speciale, Agron Bajrami, trupi gjykues ka aprovuar pranimin e fajësisë për këtë të pandehur.

https://kallxo.com/deshton-seanca-ne-gjykimin-e-te-akuzuarve-edhe-per-kontrabandim-te-viagrave/?fbclid=IwAR00Xk9N_SdDZRPGponQ09cpdtTFO41UEUnpL1WPEXRZuuNqW4eIdMGvQ38

Kryetari i trupit gjykues Burim Ademi ka njoftuar se meqenëse prokurori Bajrami dhe mbrojtësi i të pandehurit Xhemajl Islami nuk kanë ndonjë kundërshtim, çështja penale ndaj të pandehurit të lartcekur me aktvendim u veçua.

Çështja penale ndaj të pandehurit Xhemajl Islami do te udhëhiqet me numër të ri të lëndës, ku Gjykata do t’i ftojë palët në fjalën përfundimtare në procedurë të veçuar.

Tutje seanca ka vazhduar me dhënien e fjalës hyrëse nga ana e prokurorit special Agron Bajrami.

Prokurori në fjalën  hyrëse ka deklaruar se nga provat të cilat gjenden në shkresat e lëndës do të rezultojë se të akuzuarit duke vepruar si grup i organizuar për një kohë të caktuar kanë kryer veprat penale si në akuzë, ndërsa ai ka shtuar se nga rrethanat faktike dhe në bazë të raporteve mbi zbatimin e masave të fshehta teknike të hetimit do të vërtetohet veprimtaria e tyre inkriminuese si në akuzë.

Sipas Prokurorisë krejt ky rrjet i organizmit ishte bërë mbi bazën e tri skemave, import të kundërligjshëm përmes mosdeklarimit apo mosdeklarimit të saktë të mallrave të llojit cigare dhe kontrabandimit të tyre, kontrabandim të produkteve farmaceutike dhe stimuluesve seksualë, po ashtu shmangie nga tatimet e brendshme, ku janë realizuar të ardhura, e që rezultoi me shmangie të përgjithshme tatimore doganore në shumë prej 2.430.620.00 euro, ka thënë prokurori Agron Bajrami me rastin e dhënies së fjalës së tij hyrëse.

Fjalën hyrëse në seancën e sotme e kanë dhënë edhe Agon Rreca mbrojtës i të akuzuarit Argetim Ismaili, Xhafer Maliqi mbrojtës i të akuzuarit Afrim Rrustolli, Fetije Uka mbrojtëse e të akuzuarit Arben Smaili, Tahir Rrecaj mbrojtës i të akuzuarit Shkumbin Ismaili, Besim Parduzi mbrojtës i të akuzuarit Afrim Rrustolli dhe Musa Damati mbrojtës i të akuzuarit Rinor Rrustolli.

Mbrojtësit e të lartcekurve gjatë dhënies së fjalës së tyre hyrëse kanë thënë se në fund të shqyrtimit gjyqësor do të vërtetohet se të mbrojturit e tyre janë të pafajshëm dhe se nuk i kanë kryer veprat penale për të cilat akuzoheshin nga Prokuroria.

Avokatët kanë thënë se pika 1 e aktakuzës është krejtësisht e paqarte dhe konfuze sepse sipas tyre  Prokuroria nuk ka përcaktuar qartë kohën dhe vendin e kryerjes së veprave të dyshuara penale.

Ndryshe ky është njëri nga rastet e shënjestruara për liberalizimin e vizave që gjendet në Gjykatën Themelore të Mitrovicës.

Në këtë rast kanë qenë të akuzuar 46 persona, por për të akuzuarit Imri Bajrami, Nimon Zogaj, Mirko Iliq dhe Mursel Calakoviq në janar të këtij viti është veçuar procedura.

Ndërsa sot me pranimin e fajësisë nga ana e të pandehurit Xhemajl Islami ku për të njëjtin edhe u veçua procedura , në këtë rast kanë mbetur 41 persona të akuzuar.

https://kallxo.com/ndihen-te-pafajshem-42-te-akuzuarit-per-krim-te-organizuar

Ndryshe, sipas aktakuzës së ngritur nga Prokuroria Speciale, të akuzuarit nga janari 2015 deri më 22 mars 2016 me dashje, me dijeni, në mënyrë të qëllimshme dhe në grup të organizuar kanë kryer vepra penale që janë të dënueshme me burgim së paku katër vjet.

Gjithashtu, të akuzuarit në mënyrë të sofistikuar kishin arritur të organizojnë tri skema të punës apo më saktë: import të kundërligjshëm përmes mosdeklarimit të saktë të mallrave të llojit cigare dhe kontrabandimit të tyre, kontrabandimit të produkteve farmaceutike dhe stimuluesve seksualë të llojit “Kamagra” dhe “Viagra”.

Në këtë mënyrë Argëtim Ismaili, Armend Smaili, Arben Ismaili, Shkumbim Ismaili, Afrim Rrustolli, Besim Biberoviq, Mursel Çalakoviq, Bahri Rexhepi, Liridon Borovci, Haki Isufi, Radisav Mutavxhiq, Milan Stojanoviq, Mirko Iliq, Ramush Salihu, Zekri Salihu, Shkëlzen Salihu, Ismet Zeqiri, Blerim Avdylaj, Kujtim Avdylaj, Nexhmedin Bajrami, Dukagjin Kollçaku, Ardian Rraci, Ahmet Syla, Ruzhi Kolica, Afrim Hoti, Imri Bajrami, Alban Islami, Nimon Zogaj, Nezir Zogaj, Afrim Xhaçkaj, Rinor Rrustolli, Arben Rrustolli, Lulzim Kastrati, Gazi Tarashaj, Artan Kurpalaj, Florim Krasniqi, Reshat Kamberaj, Endrit Kllokoqi, Ramadan Mehmeti, Hasan Rexhepbeqaj, Zenel Isufi dhe Xhemail Islami akuzohen se në grup të organizuar duke u shmangur nga pagesa e tarifave të detyrueshme doganore  apo tarifave të tjera me rastin e importimit apo eksportimit të mallrave të llojit cigare, produkte farmaceutike dhe stimuluesve seksualë që rezultojnë me shmangie të përgjithshme doganore në shumë prej 1.666.842.07 euro dhe njëkohësisht duke iu shmangur obligimeve tatimore për mallrat e lartcekura dhe mosdeklarimit të saktë të pasqyrave financiare që rezultojnë në shumën prej 2,430,620.16 e që njëkohësisht është përfitim i kundërligjshëm gjatë periudhës së aktiviteti kriminal të këtyre të pandehurve të lartcekur.

Në këtë grup të akuzuar janë edhe zyrtarët doganorë në pikën kufitare të Jarinjes Mensur Bekteshi, Vladislav Trajkoviq dhe Ramadan Bajra, që në këtë proces gjyqësor akuzohen për keqpërdorim detyre.

Gjithnjë sipas aktakuzës, të gjithë këta e kanë ditur që janë të përfshirë në veprimtari të kundërligjshme, për çka mund të dënohen me burgim mbi katër vite, mirëpo prapë kanë realizuar dëshirën e tyre me qëllim të realizimit të dobisë financiare, apo dobisë tjetër pasurore.

Në 19 pika të aktakuzës është përshkruar veç e veç veprimi i secilit prej të akuzuarve.