Dënohet Kërkesa e Ambasadës Turke Lidhur me Gazetarët
Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK) ka reaguar ndaj një lajmi të publikuar sot nga agjencia e lajmeve Reuters sipas të cilit Ambasada turke ka kërkuar nga institucionet e Kosovës dënimin e gazetarit Berat Buzhala për komentet e tij në “Facebook” rreth tentim-puçit në Turqi.
“Ne e konsiderojmë shkelje të rëndë kërkesën e Ambasadës Turke drejtuar Ministrisë së Punëve të Jashtme të Kosovës, ku bëhet thirrje për marrjen e masave ndaj gazetarit në fjalë”, thuhet ne reagimin e AGK-së.
Në vazhdim AGK-ja ka kërkuar nga ambasada turke që sa më shpejtë të kërkojë falje për këtë veprim.
“Nga Ambasada Turke në Prishtinë kërkojmë që në afat sa më të shpejt të kërkojë falje për këtë veprim skandaloz, ndërkohë që po ashtu kërkojmë largimin nga Kosova të ambasadores së Turqisë Kivilcim Kiliç. Një ambasadore që bën thirrje për arrestimin dhe dënimin e gazetarëve është e papranueshme për komunitetin tonë”, përfundon reagimi i tyre.
Reuters ka publikuar sot gjatë ditës një artikull ku citon një dokument të ambasadës turke drejtuar Ministrisë së Punëve të Jashtme për të marrë masa ndaj shkrimeve të gazetarit Berat Buzhala.
Sipas kësaj letre, Ambasada turke ia ka “kujtuar” Ministrisë së Jashtme të Kosovës se çfarë parasheh Ligji kosovar për komentet e njerëzve sikur Berat Buzhala – të dënohen me burg nga gjashtë muaj deri në pesë vjet.
Ndërsa në një prononcim për KALLXO.com, Berat Buzhala ka pohuar se të gjitha statuset e tij kanë qenë të natyrës satirike.
Ai thotë se nuk pret që Ministria e Punëve të Jashtme ta merr seriozisht këtë kërkesë të Ambasadës turke.
Megjithatë, Buzhala nuk e përjashton mundësinë që ndonjë prokuror të nisë procedurë ndaj tij.
“Unë frikësohem që ndonjë prokuror, të cilët nuk mungojnë, na kem pa prokurorë që thonë se duhet me e kthy sheriatin në Kosovë. Pra unë dyshoj që ata kanë kontaktuar edhe me ndonjë prokuror, që ata me anë të rrugëve të tjera të fillojnë hetime kundër meje”, tha Buzhala për KALLXO.com.
Ai thotë se nuk e ka besuar që një shtet i madh si Turqia do t’i marrë parasysh statuset e tij në “Facebook”.
Buzhala dyshon se deri te kjo kërkesë e ambasadores turke ka ardhur për shkak se Presidenti Erdogan ka filluar të shkarkojë ambasadorë nëpër disa vende.
E sipas tij kjo kërkesë ka qenë servilitet i saj karshi presidentit turk.