Dënohet grupi i Kqirajve për fajde

Gjykata në Prizren i ka shpallur aktgjykimet në rastin e grupit të dyshuar për fajde ndaj grupit të Kqirajve.

Në seancën e mbajtur sot, Gjykata i ka shpallur fajtorë shumë nga të akuzuarit ndërsa i ka liruar nga akuza disa prej tyre.

Në shkurt të vitit 2018, Gjykata në Prizren kishte shpallur aktgjykimin ndaj këtij grupi, por rasti ishte kthyer në rigjykim nga Gjykata e Apelit katër muaj më vonë.

Në shpalljen e aktgjykimit që u mbajt sot në Gjykatën e Prizrenit, i akuzuari Tunë Kqira u shpall fajtor dhe u dënua me dënim me burgim në kohëzgjatje prej 2 vite e 3 muaj burgim për veprën penale të  organizimi i skemave piramidale dhe bizhozit të paligjshëm.

Të njëjtit do t’i llogaritet në këtë dënim koha e kaluar në paraburgim dhe arrest shtëpiak në kohëzgjatje totale nga 28 maj të vitit 2015, deri me 28 gusht të vitit 2017.

Tunë Kqira u shpall i pafajshëm për veprat penale krim i organizuar nga lidhur me veprën penale detyrim si dhe në lidhje me veprën penale fajdeja.

Me 1.500 euro Gjobë i akuzuari Tunë Kqira u dënua për veprën penale mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve.

I akuzuari Kastriot Kqira u shpall fajtor dhe gjykata e dënoi me dënim me burgim dënimin me burgim në kohëzgjatje prej 3 viteve, për veprën penale fajde e në dënim do t’i llogaritet edhe koha e kaluar në paraburgim e arrest shtëpiak nga 28 maji i vitit 2015 e deri më 11 nëntor të vitit 2017.

I njëjti me gjobë prej 1.500 Euro u dënua për veprën penale të mbajtjes në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve.

Të akuzuarin Gjon Kqira gjykata e shpalli fajtor dhe e dënoi me dënimin me burgim në kohëzgjatje prej 2 viteve e 5 muaj, për veprën penale organizimi i skemave piramidale dhe bixhozit të paligjshëm.

https://kallxo.com/rasti-kqiraj-mungesat-elementare-qe-e-anuluan-aktgjykimin-e-fajdeve/

Gjithashtu të njëjtit do t’i llogaritet edhe koha e kaluar në paraburgim prej 28 majit të vitit 2015, e deri më 11 nëntor të vitit 2017.

I njëjti me gjobë prej 1.500 euro u dënua për veprën penale të mbajtjes në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve.

Marjan Kqira u shpall fajtor për veprën penale mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve dhe u dënua me gjobë prej 1.500 euro.

Të akuzuarin Benson Buza gjykata e ka shpallur fajtor dhe e ka dënuar me dënimin me burgim në kohëzgjatje prej 2 viteve e 5 muajsh për veprën penale të detyrimit. E në dënim të shqiptuar do t’i llogaritet edhe koha e kaluar në paraburgim në kohëzgjatje prej 8 majit të vitit 2015, e deri më 3 tetor të vitit 2017.

I njëjti me gjobë prej 1.500 euro u dënua për veprën penale të mbajtjes në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve.

I akuzuari Besfort Omaj u shpall fajtor dhe u dënua me dënimin me burgim në kohëzgjatje prej 2 viteve e 5 muajsh për veprën penale detyrim gjithashtu të njëjti në dënimin e shqiptuar nga gjykata do t’i llogaritet edhe koha e kaluar në paraburgim prej 28 majit të vitit 2015, e deri më 30 qershor të vitit 2017.

I akuzuari Gjekson Kqira u shpall fajtor nga gjykata dhe u dënua me dënimin me burgim në kohëzgjatje prej 8 muajve për veprën penale fajde. Atij në dënimin e shqiptuar do t’i llogaritet koha e kaluar në paraburgim dhe arrest shtëpiak prej 28 majit të vitit 2015 e deri më 26 janar të vitit 2017.

I akuzuari Gëzim Kqira u shpall fajtor nga gjykata dhe u dënua me dënimin me burgim në kohëzgjatje prej 5 muajve për veprën penale fajde. Atij në dënim do t’i llogaritet koha e kaluar në paraburgim prej 11 tetorit të vitit 2015 e deri më 9 shkurt të vitit 2017.

Të akuzuarit Gjon Kqira dhe Marjan Kqira u shpallën të pafajshëm për veprën penale krim i organizuar lidhur me veprën penale detyrim si dhe në lidhje me veprën fajdeja.

Kastriot Kqira, Benson Buza, Gjekson Kqira dhe Gëzim Kqira u shpallën të pafajshëm për veprën penale krim i organizuar.

Të akuzuarit Tunë Kqira, Kastriot Kqira, Benson Buza dhe Marjan Kqira dhe Gjon Kqira u shpallën të pafajshëm për veprën penale shpëlarja e parave.

Gjatë shpalljes të vendimit gjyqësor, nuk ishte prezente prokurorja e shteti Merita  Bina – Rugova e as përfaqësuesi i palës së dëmtuar Avokati Tomë Gashi, ndërsa ishin prezentë shumica e të akuzuarve dhe mbrojtësve të tyre.

Në tetor të vitit 2017, KALLXO.com raportoi se i akuzuari Tunë Kqira ishte takuar me ish-kryetarin e komunës së Skenderajt, Sami Lushtaku.

https://kallxo.com/sami-lushtaku-takon-tune-kqirajn-te-akuzuarin-per-fajde/