Gjykimi i arkëtarit | Foto: KALLXO.com

Dënohet Arkëtari që Mori Para për të Shpëtuar Gruan

Haki Islami, arkëtari i Kompanisë Ujësjellësi Rajonal “Prishtina” që mori para nga arka e ndërmarrjes për shërimin e gruas së tij të sëmurë është dënuar sot me kusht nga Gjykata Themelore në Prishtinë.

Kjo gjykatë ia ka shqiptuar Islamit dënimin prej tetë muajsh burg me kusht. Islami nuk duhet të kryejë vepër tjetër penale gjatë dy vjetëve të ardhshme, nëse nuk dëshiron të përfundojë në burg.

Përveç dënimit me kusht, arkëtari i Ujësjellësit “Prishtina” u dënua edhe me 500 euro gjobë, ndërsa u obligua që t’ia kthejë Ujësjellësit Rajonal “Prishtina” 14 mijë euro.

Aktakuza e Prokurorisë Themelore të Prishtinës e ngarkonte Islamin se në cilësinë e arkëtarit të Ujësjellësit “Prishtina” prej datës 1 gusht 2016 deri më 5 shtator 2016 ka përvetësuar shumën që i është besuar për shkak të detyrës së tij, në vlerën prej 25 mijë e 691 eurove të inkasuara nga konsumatorët.

Prej shumës totale të cilën prokuroria pretendon se Islami e ka inkasuar, 9,463 euro i ka dorëzuar në kompani, ndërsa pjesën tjetër jo.

Në seancën e djeshme arkëtari tani i larguar nga puna i Ujësjellësit Rajonal Prishtina shprehu pendimin e tij dhe pranoi se ka marrë rreth 25 mijë euro në vendin e tij të punës por tha se këtë nuk e bëri për luks, por vetëm për nga pamundësia për t’i ndihmuar gruas së tij të sëmurë.