Shpallja e vendimit për zyrtarët e Drenasit | Foto: KALLXO.com

Dënohen Zyrtarët për Mbindërtimin në Drenas

HyrijeXhemajlaj- Thaçi dhe Halim Vrellaku dy zyrtarë komunalë të Drenasit që akuzoheshin se nuk parandaluan një mbindërtim në objektin banesor në pronësi të komunës janë dënuar sot nga Gjykata Themelore në Prishtinë.

Gjykata e dënoi Hyrije Xhemajlaj- Thaçin me 10 muaj burgim, ndërsa Halim Vrellakut i shqiptoi burg me kusht prej 1 viti. Vrellaku nuk duhet të kryejë vepër tjetër penale në afat prej dy vjetësh nëse nuk dëshiron t’i ekzekutohet dënimi i shqiptuar sot.

Hyrije Xhemajlaj- Thaçi në kohën për të cilën akuzohej ishte drejtoreshë e Inspektoratit Komunal të Drenasit dhe Halim Vrellaku kryente detyrën e shefit të Inspektoratit në këtë komunë.

Gjykata sot e liroi biznesmenin Izet Kukaj, pronarin e kompanisë  “Elita-A” që në qershorin e vitit 2013 në kompleksin banesor në pronësi të Komunës së Drenasit ndërtoi një nënkulm me 14 banesa, 13 prej të cilave i shiti.

Prokurori gjithashtu hoqi dorë nga ndjekja penale e banorit të këtij kompleksi Musli Ademi.

Sipas aktakuzës, Izet Kukaj, pronari i kompanisë “Elita-A” gjatë qershorit të vitit 2013 në bllokun banesor numër V të Komunës së Drenasit pa leje dhe në mënyrë të kundërligjshme ndërtoi një kat në nënkulm me gjithsej 14 banesa që kishin sipërfaqe 1800 metra katrorë.

Aktakuza precizonte se 13 nga këto banesa Izet Kukaj i ka shitur në shumën prej 252 mijë eurove, ndërsa njërën nga to e ka ndalur për vete.

Sipas aktakuzës, njërën nga banesat e mbindërtimit ilegal në objektin banesor të Drenasit e bleu vëllai i të akuzuarës  Hyrije Xhemajlaj-Thaçi që në atë kohë udhëhiqte Drejtorinë e Inspektimit.

KALLXO.com e ka ndjekur vazhdimisht këtë gjykim.

http://kallxo.com/prokurorja-ndryshon-aktakuzen-per-mbindertimin-ne-drenas/

http://kallxo.com/gjyqtari-mungon-ne-gjykimin-per-mbindertimin-ne-drenas/