Gjykata në Ferizaj

Dënohen Personat që Grabitën Kasafortën e një Kompanie

Gjykata në Ferizaj u ka shqiptuar dënime me burg e gjobë tre personave që akuzoheshin për grabitje të kasafortës së një kompanie.

M. H. e B. H. u dënuan nga gjykata me nga 3 vjet e 6 muaj burg dhe gjobë nga 500 euro, ndërsa E. L. me 3 vjet burg.

Tre të pandehurit akuzoheshin se më 27 prill 2017 të armatosur dhe me përdorim të forcës dhe kanosjes serioze, grabitën brenda ndërmarrjes “Nderimi” Sh. P.K.

Grabitja u bë për të përvetësuar pasurinë e paluajtshme të personit tjetër dhe për t’i sjellë vetes dobi të kundërligjshme pasurore.

Në aktakuzë tregohej se tre të akuzuarit ishin dërguar deri te kompania me makinë nga personi me inicialet A. I., ndërsa ishin drejtuar nga lokali ku mbahej kasaforta.

“Me përdorimin e forcës dhe kanosjes fillimisht kanë lidhur rojën dhe me përdorimin e forcës e kanë hapur derën e lokalit dhe nga aty kanë marrë kasafortën e firmës dhe janë larguar”, thuhej në aktakuzë.

Para se gjykata të shpallte vendimin ndaj tre të akuzuarve, ata e pranuan fajësinë për veprën me të cilën ngarkoheshin.