Gjykimi i Fatlum Grajçevcit dhe Abdyrrahman Shkodrës - Foto: KALLXO.com

Dënohen me burg zyrtari i Ministrisë dhe sekretari i Federatës së Atletikës

Zyrtari i Ministrisë së Kulturës Rinisë dhe Sportit, Fatlum Grajçevci dhe sekretari i Federatës së Atletikës së Kosovës, Abdyrrahman Shkodra janë dënuar me nga 6 muaj burgim nga Gjykata Themelore në Prishtinë.

Ata u gjetën fajtorë për keqpërdorim të detyrës zyrtare.

Ky dënim me pëlqimin e tyre u kthehet në dënim me gjobë në shumë prej 3.000 euro, të cilin të njëjtit detyrohen ta paguajnë pas plotfuqishmërisë së vendimit.

Fatlum Grajçevci dhe Abdyrrahman Shkodra paraprakisht kishin bërë marrëveshje mbi pranimin e fajësisë.

Ata akuzohen se pasi kishin nënshkruar një memorandum për ta ndihmuar financiarisht Federatën e Atletikës dhe Sporteve në vlerë 6.522 euro, kanë përpiluar raporte të rrejshme duke i përdorur si dëshmi mbi shpenzimet me fatura fiktive, me qëllim që këto mjete të mos i kthehen përsëri Ministrisë së Kulturës.

Mjetet ishin të destinuara për klubin “Rogana”, nga Kamenica, dhe pasi ato mjete ishin mbuluar nga një bashkatdhetar, të lartpërmendurit duke qenë në dijeni se shpenzimet për këtë projekt janë mbuluar nga bashkatdhetari, kanë përpiluar ato fatura të rrejshme.