Çekani i gjykatës - Foto: KALLXO.com

Dënohen Dy Veta për Futje të Barnave të Kontrabanduara

Riza Brahimi dhe Ivica Stanojkoviq janë dënuar nga Gjykata Themelore në Prishtinë për shkak se kishin futur mall të paautorizuar nga Maqedonia përmes një pike doganore në Kosovë.

Kryetarja e trupit gjykues Nora Bllaca-Dula i shqiptoi Stanojkoviqit një dënim prej 6 muaj burg me kusht ndërsa Brahimit tre muaj, gjithashtu me kusht.

Ata do të dërgohen për vuajtje të këtij dënimi nëse brenda periudhës njëvjeçare kryejnë ndonjë vepër tjetër penale.

Për të ardhur deri te ky dënim, të akuzuarit të enjten e pranuan fajësinë në akuzat për të cilat ngarkoheshin.

Ismajl Hyseni, avokati i të akuzuarit Riza Brahimi, kërkoi që klientit të tij t’i ofrohej mundësia që edhe një herë para trupit gjykues të deklarohej rreth fajësisë së tij.

Kur u ngrit në këmbë, Brahimi tha se pas konsultimeve me avokatin, kishte vendosur që ta pranojë fajësinë.

“Dua të them se e ndjej veten shumë fajtor”, tha ai.

Riza Brahimi, nga një fshat i Obiliqit, theksoi se kishte qenë vetëm shofer i autobusit dhe se malli nuk kishte qenë i tij, andaj e luti gjykatën që gjatë matjes së dënimit ta kishte parasysh edhe këtë rrethanë. Ai gjithashtu tha se ishte hera e parë që po binte ndesh me ligjin.

Pranimi i fajësisë nga Brahimi i hapi rrugën edhe të akuzuarit tjetër të deklarohej.

Ivica Stanojkoviq nga Llapnasella veproi njëjtë sikur edhe i akuzuari i parë.

“E pranoj fajësinë për veprën penale e cila më vihet në barrë dhe dua të them se ndjehem thellë i penduar“, tha Stanojkoviq.

Ai i premtoi trupit gjykues se asnjëherë më nuk do ta bëjë ndonjë vepër penale ndërsa u shpreh se kjo ishte hera e parë që po përballej me gjykatën.

Duke qenë se aktualisht është i papunë, 36 vjeçari Stanojkoviq iu lut gjykatësve që këtë fakt ta marrin si masë lehtësuese.

Me këtë pranim të fajësisë u pajtua edhe prokurorja e shtetit Mirushe Llugiqi, e cila kërkoi nga trupi gjykues që të marrënjë vendim meritor lidhur me këtë rast duke marrë parasysh të gjitha rrethanat lehtësuese dhe rënduese për të akuzuarit.

I akuzuar në këtë vepër e cila ka ndodhur në vitin 2014 ka qenë edhe Naser Stublla, pronar i autobusit të kompanisë “Era Tours”.

Por ndërkohë, Stublla ka vdekur kështu që procesi ndaj tij ka pushuar.

Ata tre akuzoheshin se në udhëkryqin e Lipjanit janë ndalur dhe kontrolluar nga ana e Njësitit Antikontrabandë ndërsa në autobus janë gjetur dhe konfiskuar një sasi prej 57 llojeve të barërave, medikamenteve dhe artikujve të tjerë ushqimorë më qëllim për t’i shitur.

Vlera e këtij malli të kontrabanduar sillej rreth 8,800 euro.

Sipas aktakuzës, Riza Brahimi dhe Naser Stublla këtë mall e kishin sjellë nga Maqedonia duke e kaluar në pikën e kalimit kufitar në Glloboqicë. Sado që malli nuk kishte pasur dokumentacion të nevojshëm, ai ishte lejuar të kalojë në Doganë nga oficeri doganor Ivica Stanojkoviq.

Aktakuza thotë se Doganës me këtë rast i ishte shkaktuar një dëm prej rreth 2,400 euro.

Riza Brahimi së bashku me të ndjerin Naser Stublla akuzoheshin se me këtë veprim kanë kryer veprën penale të tregtisë së ndaluar ndërsa Ivica Stanojkoviq u përball në gjykatë me akuzën për keqpërdorim të detyrës zyrtare.