Shpallja e aktgjykimit në rastin e ish-punonjësve të bankës “NLB” – Foto: KALLXO.com

Dënohen me Burgim Tre ish-Punonjës të Bankës, Një Lirohet

Gjykata ka shpallur aktgjykimin në rastin e ish-punonjësve të bankës “NLB”, tre prej të cilëve u dënuan me burgim e njëri është liruar.

Kështu, Gjykata Themelore e Prishtinës e gjeti fajtor të akuzuarin Burim Ademaj dhe e dënoi me dënim unik prej 3 vjet e gjashtë muaj burgim dhe dënim me gjobë në shumën 16 mijë euro, të cilën mund ta paguajë me 6 këste.

I akuzuari i dytë, Ilir Kryeziu, u dënua me dënim unik 3 vjet burgim si dhe 7.000 euro dënim me gjobë, shumë të cilën mund ta paguajë me 5 këste.

Gjykata e gjeti fajtor edhe Besnik Delijajn, të cilin e dënoi me dënim unik prej 2 vjet burgim.

Kurse për Maliq Behlulin është marrë aktgjykim lirues pasi që sipas kryetarit të trupit gjykues, Vesel Ismajli, nuk është vërtetuar që i ka kryer veprat për të cilat akuzohej.

Sipas gjykatësit Ismajli, në dënim të dënuarve do t’u llogaritet koha e kaluar në paraburgim.

Katër ish-punonjësit e bankës “NLB” akuzohen se kanë përvetësuar shuma të mëdha parash në mënyrë të kundërligjshme nga klientët e kësaj banke.

Burim Ademaj, Ilir Kryeziu, Maliq Behluli, e Besnik Delijaj akuzohen nga Prokuroria se në vazhdimësi kanë shpërdorur detyrën zyrtare me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të dobisë pasurore për vete, duke përvetësuar kështu shuma të mëdha të parave nga klientë të ndryshëm që kanë deponuar-afatizuar para me kontratë në bankën “NLB” me seli në Suharekë.

Të akuzuarit Burim Ademaj e Ilir Kryeziu përgjatë shqyrtimit gjyqësor kanë hyrë në negocim të marrëveshjes për pranim të fajësisë.

Pas ri-cilësimit të aktakuzës nga ana e Prokurorisë më vonë edhe Miradije Morina i ishte bashkangjitur aktakuzës duke u akuzuar për veprën penale në vazhdimësi përvetësimi gjatë ushtrimit të detyrës zyrtare. Por,  gjatë fjalës përfundimtare prokurori vendosi që të heq dorë nga ndjekja penale sa i përket të akuzuarës Morina me arsyetimin se me asnjë provë nuk është arritur të vërtetohet se e kishte kryer veprën penale për të cilën akuzohej.