Momenti i shpalljes së aktgjykimit - Foto: KALLXO.com

Dënohen me Burg Shpërndarësit e Narkotikëve

Sipas aktakuzës, të akuzuarit Arsim Fazliu dhe Naser Miftari ishin takuar në një vend mes fshatit Kramovik dhe qytetit të Klinës me të akuzuarin tjetër Hysen Lala për të marrë drogën e sjellur nga ky i fundit nga Shqipëria.

Të tre së bashku ishin nisur për Prishtinë me dy makina të ndryshme.

Te Tregu i Gjelbër, në Zonën Industriale, pasi i ka marrë paratë për transportin, ka zbritur i akuzuari Hysen Lala, ndërsa dy të akuzuarit e tjerë, Naser Miftari dhe Arsim Fazliu, e kanë vazhduar rrugën në drejtim të Podujevës. Gjatë gjithë rrugës i akuzuari Fazliu ka lëvizur i pari duke biseduar vazhdimisht në telefon me Miftarin duke i treguar nëse ka ndonjë patrullë policore.

Kur shkon në fshatin Sekiraqë, Fazliu e njofton Miftarin se ka një patrullë policore, dhe ky e shmangë rrugën gjë që ngjall dyshime te policia, e cila pasi e ndalon në veturë i gjen 41 kg e 908 gramë narkotik, të ndarë në qese.

Po ashtu, Policia kishte ndaluar edhe shtetasin e Shqipërisë, të akuzuarin Hysen Lala, të cilit iu gjetën paratë që i kishte pranuar për transportimin e drogës.

Ngjarja kishte ndodhur në dhjetor të vitit 2015.

Sipas aktakuzës, të akuzuarit Fazliu, Miftari dhe Lala kanë kryer veprat penale si blerje, posedim, shpërndarje dhe shitje e paautorizuar e substancave narkotike dhe psikotropike.

Në bazë të aktakuzës, të akuzuarit kishin blerë, importuar dhe eksportuar 39 paketime me municione të ndryshme, si dhe 2,717 copë fishekë.

Si rezultat, kanë thyer ligjin e aplikueshëm të importit, eksportit, furnizimit, tranportimit, prodhimit, këmbimit, ndërmjetësimit apo shitjes së paautorizuar të armëve.

Përpos dënimit unik të shqiptuar ndaj të akuzuarve, makinat e tipit “BMW” dhe “Volkswagen” me të cilat ishte transportuar në mënyrë të paautorizuar marihuana janë konfiskuar, përfshirë këtu edhe armatimin e gjetur në të.

Redaktoi: Naser Sertolli