Gjykata e Apelit - Foto: KALLXO.com

Dënimi prej 34 Ditësh Shqyrtohet në Apel

Ankesën ndaj këtij dënimi e kishte dërguar në Apel Adem Jetishi, avokati i Xhavit Bajramit, ndërsa Bajrami ishte dënuar me një muaj e 4 ditë burg nga Gjykata Themelore në Prizren  më 13 shkurt 2015.

Bajrami ishte shpallur fajtor nga kjo gjykatë për veprën penale asgjësim ose dëmtim i pasurisë.

Ai akuzohej se duke e lëshuar rrjedhën e ujit nga prona e tij i shkaktoi dëm të konsiderueshëm material fqinjit të tij Prenk Kaçinari në Hotelin “Kaçinari ”

Avokati Adem Jetishi, mbrojtës i të akuzuarit Bajrami u ankua me pretendimin se Gjykata Themelore në Prizren kur dënoi klientin e tij i vlerësoi gabimisht provat, ndërsa kërkoi që Gjykata e Apelit ta aprovojë ankesën e tij, ta ndryshojë vendimin e themelores dhe ta shpallë të pafajshëm Xhavit Bajramin.

I akuzuari e konsideroi veten të pafajshëm dhe mbështeti deklarimet e avokatit të tij.

Ndryshe nga pretendimet e mbrojtjes së të akuzuarit, prokurori i apelit i cili nuk u paraqit në seancë kërkoi që të refuzohet ankesa e mbrojtjes  dhe të vërtetohet aktgjykimi i gjykatës së shkallës parë me të cilin i akuzuari ishte shpallur fajtor dhe ishte dënuar me 34 ditë burgim.

Kryetari i kolegjit gjykues tha se gjykata do të marrë vendimin lidhur me ankesën e avokatit mbrojtës dhe këtë vendim do t’ua dërgojë palëve.