Dënimi i Nebih Berishës për Vrasjen e Gruas

Gjykata Themelore në Prizren shpalli sot aktgjykimin ndaj të akuzuarit Nebih Berisha, për vrasjen e bashkëshortes së tij dhe shkaktimin e lëndimit të lehtë trupor ndaj vajzës së tij.

Departamenti i Krimeve të Rënda e gjeti fajtor Nebih Berishën për vrasje të rëndë ngase më 23 tetor 2015 në shtëpinë e tij familjare me dashje privoi nga jeta bashkëshorten e tij Zejnepen, duke e goditur 20 herë me thikë të cilat ia shkaktuan vdekjen.

Po ashtu u gjet fajtor edhe për veprën penale të lëndimit të lehtë trupor, të cilin ia shkaktoi vajzës së tij.

“Duke konstatuar se vepra penale është kryer në gjendjen e mendësisë së kufizuar, për veprën penale të vrasjes së rëndë i shqipton dënimin me 12 vite burgim, ndërkaq për veprën e dytë të lëndimit të lehtë trupor dënimin prej një viti”, tha gjyqtari Xhevdet Elshani.

Gjykata ia shqiptoi Nebih Berishës dënimin unik prej 12 vjetësh e 6 muaj burg dhe obligoi  të akuzuarin të paguajë shpenzimet procedurale në shumën prej 700 eurove.

Nga ana tjetër, avokati Esat Gutaj, tha se dënimi i shqiptuar ndaj klientit të tij është shumë i lartë duke marrë parasysh ekspertizat mjekësore.

Gutaj, tha se opinioni duhet ta dijë se klienti i tij ka pasur edhe një shkas që e ka shtyrë ta bëjë këtë vepër penale, të cilin tha se trupi gjykues nuk e përmendi. Ai paralajmëroi ankesë në Gjykatën e Apelit.

“Duke pasur parasysh rrethanat, shkaqet të cilat e kanë pru deri këtu, trupi gjykues nuk e dha, ka qenë i obliguar bile të paktën ta japë në arsyetim motivin e vrasjes për çka ka ardhë. Andaj do të bëë ankesë, qëndroj pranë pretendimeve të mia se i mbrojturi im në kohën e kryerjes së veprës ka qenë me aftësi të zvogëluar të veprimit” tha Gutaj.